Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi paraditen e sotme do të diskutojë projektligjin për ‘vetting’un, atë për SPAK dhe organet e pushtetit gjyqësor. I parashikuar të mblidhej dje, ai u shty për shkak të mungesës së dokumentacionit. Në të njëjtën ditë kryetari i Kuvendit ka thirrur pasditen e sotme edhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Procesi i ‘vettingut dhe parimet e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmendur si vija të kuqe nga misioni EURALIUS, pritet të jenë në qendër të mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi.
Anëtarët e komisionit do të njihen me propozimet e ekspertëve lidhur me vërejtjet e EURALIUS dhe OPDAT, për përkufizimet teknike për ligjin e në fjalë. Janë 4 parime që kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilat ndajnë në qëndrime sërish misionin EURALIUS dhe opozitën, pasi misioni ndërkombëtar u ka bërë një vlerësim vërejtjeve të PDsë. Për opozitën, këto 4 parime, të cilat do të përkthehen bashkë në një ligj të vetëm, atë të ‘vetting’ut, janë të nevojshme në mënyrë që ky proces të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin te drejtësia.
Pjesë e agjendës së diskutimeve do të jetë edhe gjyqësori, por edhe ligji për Prokurorinë Antikorrupsion, në nenin e të cilit nga OPDAT janë parashikuar ndëshkime edhe për median, shtesa këto që janë bërë javën e shkuar. Pas mbledhjes së komisionit, në orën 18 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë datën kur do të thirret seanca e parë e sesionit të ri brenda gushtit, e cila me shumë gjasë do t’i hapë rrugë miratimit të ligjit të ‘vetting’ut. Duket se palët në tryezë duhet të dëshmojnë edhe një herë vullnetin politik të 21 korrikut për zbatimin e reformës dhe ligji i ‘vetting’ut konsiderohet më i vështiri, por edhe më delikati i saj.