Xhevdet Mustafa nuk erdhi për të vrarë Enver Hoxhën, por për të marrë nënën dhe vëllain në Amerikë!
Kështu shprehet Pandeli Malo, që i ka qëlluar ta ndjekë nga larg jehonën e zbarkimit të bandës së bujshme, kryesuar nga njeriu, të cilin e njihte nga afër.
Xhevdet Mustafa ka qenë ndër shqiptarët e parë që kanë takuar pjesëtarët e familjes Malo, kur kanë mbërritur në Amerikë, pas asaj aventure të rrezikshme për t’u arratisur nga Shqipëria.
Shkak ka qenë një njohje e hershme e prindërve të Malos me babain e Xhevdetit kur shërbente dikur në Himarë dhe nënën, e cila ishte nga Nivica, një fshat afër zonës së tyre në bregdet.
Pjesa në vijim e rrëfimit të Pandeli Malos, njërit prej protagonistëve të arratisë së vitit ’71, risjell mbresat nga takimi i parë me Mustafën dhe befasinë e shkaktuar nga fiksimi i tij për t’u rikthyer ilegalisht në Shqipëri.
“Sa u takuam, Xhevdeti na pyeti gjithë kërshëri: “A ka mundësi një i huaj të futet sot në Shqipëri?”.
I shpjeguam se është totalisht e pamundur.
“Po ju si mundët të dilnit që aty?”, shtoi ai që, me sa dukej, arratia jonë i kishte dhënë zemër për misionin e tij. Aty për aty mësuam se kishte plan të vinte patjetër në Shqipëri, që të merrte nënën dhe vëllain.
Kishte dobësi të jashtëzakonshme për ta. Kjo dëgjohej shpesh në rrethin e miqve të tij, që ishin të bindur se ai do ta ndërmerrte patjetër këtë aventurë.
S’dihej vetëm dita e nisjes dhe njerëzit që do ta shoqëronin. Së paku ne s’kishim dijeni. Në shtator të vitit ’82 ndodhi ajo që ndodhi.
Po Xhevdeti nuk erdhi për të vrarë Enverin”, rrëfen Malo në një intervistë për Panoramën.
Pjesë nga intervista:
Keni jetuar në një qytet me Xhevdet Mustafën. Si i keni pasur marrëdhëniet me të?
Këtu në Shqipëri Xhevdeti trajtohet si përbindësh, kur s’ka qenë i tillë. Së paku, ky ka qenë perceptimi ynë që në takimin e parë që patëm me të në vitin 1973, në Staten Island. Ai punonte në një servis makinash. Ishte natyrë e shkathët. Për të kishim dëgjuar që kur ishim në Shqipëri. Pastaj kishim pasur një njohje të hershme me njerëzit e tij. Babai i Xhevdetit në kohën e Zogut kishte qenë me shërbim në Himarë dhe kishte gruan nga Nivicë Bubari. Njerëzit tanë kishin pasur lidhje me ta.
Kjo rrethanë na shtyu të takohemi e të bisedojmë me të. Megjithëse s’patëm ndonjë afrimitet të veçantë. Fakti që ai mbante lidhje me krerët e partisë së Leka Zogut, na bënte të rezervoheshim në kontaktet me të. Për ne, raportet me politikanët ishin jo vetëm të padobishme. Ne ishim aty jo për politikë.
Ju kishte folur Xhevdeti për planin që do të vinte në Shqipëri për të vrarë Enverin?
Në fakt, ai kishte një shoqëri të zgjeruar, jo vetëm me shqiptarë, por edhe me të tjerë. Nga miqtë e të afërmit e tij kishim dëgjuar se interesohej të vinte në Shqipëri ilegalisht. Bile prej kohësh përpiqej për të gjetur mundësinë më të mirë që t’ia arrinte qëllimit. Më kujtohet mirë takimi i parë. Sa u prezantuam, na pyeti gjithë kërshëri: “A ka mundësi që një i huaj të futet sot në Shqipëri?”.
Ashtu si është bunkerizuar vendi, i shpjeguam, është totalisht e pamundur. “Atëherë, po ju si mundët të dilnit nga bunkeri?”, shtoi Xhevdeti, që, me sa dukej, arratia jonë i kishte dhënë zemër për aventurën e tij. E vërteta është se ai ishte kokëkrisur dhe natyrë energjike. Të tjerët, ata që i qëndronin më afër, na thoshin se ai kishte vendosur të vinte patjetër në Shqipëri për të marrë nënën dhe vëllain. Për ta kishte dobësi të jashtëzakonshme. Kjo madje dëgjohej rëndom në rrethin e njerëzve që njiheshin me të.
Me aq sa kishim dëgjuar, kishim krijuar bindjen se Xhevdeti do ta ndërmerrte atë aventurë. S’dinim vetëm ditën. Në shtator të vitit ’82 ndodhi ajo që ndodhi. Po Xhevdeti nuk erdhi për të vrarë Enver Hoxhën. Ky artikulim është vetëm marrëzi e Sigurimit të shtetit për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga kriza që përjetonte Shqipëria asokohe, por edhe për të përligjur eliminimin e Kadri Hazbiut dhe kastës tjetër të regjimit tek e cila Hoxha shikonte rrezikun e ndonjë komploti.