Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë për të vjedhur në zyrat e një kompanie ndërtimi në autostradën Tiranë- Durrës, jo shumë larg ish-universitetit privat që u grabit disa ditë më parë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë mësohet se autorët kanë nxjerrë nga zyra e kompanisë në pronësi të shtetasit D.S., 27 vjeç, tri kasaforta që kanë gjetur në zyrën e tij.
Pasi i kanë nxjerrë jashtë ambienteve të godinës, autorët kanë arritur t’i hapin, por siç duket kur kanë konstatuar se brenda tyre nuk kishte para apo objekte të tjera me vlerë, i kanë braktisur dhe janë larguar nga vendngjarja. Policia gjeti në ambientet e jashtme të kompanisë disa letra e dokumente që autorët i kishin hedhur gjatë kohës që kontrollonin brenda kasafortave.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se janë lajmëruar për ngjarjen rreth orës 08:40 të mëngjesit, nga vetë pronari i kompanisë, i cili në denoncimin e tij ka shpjeguar se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë natës.
Autorët e dyshuar të ngjarjes kishin përdorur një dritare në katin e parë të godinës për t’u futur në brendësi të saj e më pas janë drejtuar për te zyra e pronarit nga ku kanë nxjerrë kasafortat.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë së objektit, Policia ka konstatuar dy persona të maskuar me kapele që hynin e dilnin nga aty dhe më pas largoheshin me shpejtësi.
Të njëjtat burime thanë se nga analizimi i pamjeve filmike dyshohet të jenë të njëjtët autorë që vodhën disa ditë më parë letrat me vlerë në kasafortën e biznesmenit Ahmet Muça.
Megjithatë zyrtarët e Policisë kanë thënë se po kryhen hetimet dhe verifikimet e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët deri tani ende nuk dihen.
ma.me