Tri biseda të reja të Adem Grabovcit, me persona të paidentifikuar, dëshmojnë fuqinë e tij që kishte mbi secilin institucion gjithandej Kosovës.
Grabovci me strukturën e tij politike, ishte autoritet dhe kriter i vetëm që dikush të vendosej aty ku i konvenonte partisë. Përveç kësaj, Grabovci kishte autoritet të vendoste edhe për statusin e veteranit të UÇK-së. Kjo dëshmohet me serinë e XVI-të të përgjimeve telefonike.
Veç për caktimin e njerëzve nëpër të gjitha bordet e ndërmarrjeve në gjithë Kosovën, Adem Grabovci kishte fuqi për të vendosur edhe për statusin e veteranëve.
Një bisedë telefonike me një person të paidentifikuar, Grabovci e udhëzon t’i dorëzojë dokumentet për status të veteranit të UÇK-së, pasi atij i kërkohej ndihmë për ta bërë një gjë të tillë. Bashkëbiseduesi i shpreh shqetësimin Grabovcit se në Deçan nuk po ia pranojnë statusin. Garanton se do të merret me këtë çështje.
Kjo bisedë telefonike të cilën e sjell Insajderi, bashkë me dy tjera me persona jo publik, dëshmon për manipulimin me listat e veteranëve.
Numri i veteranëve me lista zyrtare të verifikimit ka arritur mbi 50 mijë, derisa me listat e pasluftës të nënshkruara nga vetë ish-komandanti, Agim Çeku, numri i veteranëve ishte rreth 17 mijë. (b.an)