Projekti filmik “Looking for Venera” do të zhvillohet në kuadër të një prej programeve më të njohura të produksionit në Evropë, “European Audiovisual Entrepreneurs”.
Regjisorja kosovare, Norika Sefa, dhe producentja nga Shqipëria, Belina Jano, të shtunën mbrëma, kanë marrë çmimin “ MDM EAVE”, që ndahet nga “EAVE”, në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë.
Ky film që ende është në përpunim të skenarit, do të bëhet pjesë e zhvillimit në kuadër të këtij trajnimi profesional për zhvillimin e projekteve dhe lidhjen e organizatave për producentët audiovizualë.
Duke punuar me partnerë të ndryshëm në mbarë botën, “EAVE” përfshin edhe programe për producentë në Evropë, Rusi, Amerikë Latine, botën Arabe, Azi dhe Afrikë.
Duke marrë parasysh se në cilën fazë gjendet projekti filmik, Sefa ka thënë se ky është çmimi më i mirë i cili do t’i hapë rrugën e duhur për hapat e mëtejmë, citohet në “Kohën Ditore”. (b.an)