Rreth 300 diplomatë të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste fetoiste (FETO) janë thirrur në qendër në kuadër të procesit të hetimit që ndiqet nga prokuroria e Ankarasë.
Pas sektorit të sigurisë dhe drejtësisë, autoritetet kompetente turke kanë intensifikuar hetimet dhe në fushën e diplomacisë për lidhjet e nëpunësve me organizatën, siç cilësohet nga politika zyrtare turke, terroriste FETO, e cila më 15 korrik tentoi të kryejë grusht shteti në Turqi.
Hetimet i kryen prokuroria e Ankarasë, ndërsa ato ndërlidhen me të gjitha sektorët, duke përfshirë edhe arsimin, sektorin privat, të sigurisë dhe drejtësisë.
Ministria turke e Punëve të Jashtme, siç transmeton TRT, ka thirrur në qendër rreth 300 diplomatë të akredituar në misionet jashtë vendit, për të cilët vazhdojnë hetimet për lidhjet e tyre të mundshme me puçistët.
Në kuadër të hetimeve të deritanishme, është arrestuar zyrtari i nivelit lartë, Gürcan Balık (Gürcan Balık), i cili ka qenë shef i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme të Turqisë, kur këtë post e mbante Ahmet Davutollu (Ahmet Davutoğlu).
Balik ka qenë edhe kryekëshilltar për politikë të jashtme edhe në kabinetin e ish-presidentit turk Abdullah Gyl (Abdullah Gül). Janë arrestuar edhe dy ish-ambasadorë turq, ish-ambasadori në Kanada, Tunxhaj Babali (Tuncay Babali) dhe ish-ambasadori në Kosta Rikë, Ali Fëndëk (Ali Fındık).
Bëhet fjalë për ish-diplomatë, të cilët edhe më herët kishin qenë pjesë e hetimeve për shkak të lidhjeve me organizatën terroriste FETO.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë njoftohet se pas përfundimit të hetimit kundër të gjithë diplomatëve të dyshuar, do të fillojnë procedurat ligjore, ndërsa të gjithë ata për të cilët dëshmohet se nuk kanë lidhje me organizatën terroriste FETO do të kthehen në detyrat e tyre, përgatiti Express. (b.an)