Policia e Shtetit dhe forcat speciale të RENEA-s, arrestuan dje rreth orës 18:00 në aksin Kalimash-Kukës, të shumëkërkuarin Vladimir Gjuta, i maskuar edhe me paruke të zezë, i cilësuar si organizatori i dy atentateve ndaj farmacisë dhe pranë shtëpisë së Bashkim Tahirit më 10 shkurt.
Gjuta ka qenë duke udhëtuar me një autoveturë tip “Opel”, me targa të Kosovës KS04540EP dhe bashkë me të ndodhej si shofer edhe një qytetar kosovar, Blerim Thaçi, 32 vjeç, nga Prizreni, që gjithashtu u arrestua. Dyshohet se me makinën “Benz”, me targa AA169JG i ndiqte edhe Indrit Ademi, 26 vjeç, nga Kukësi, që është shoqëruar.
Prej javësh Policia e Shtetit kishte informacione se i dyshuari lëvizte brenda vendit, kryesisht në zonën e Kukësit, ku është edhe vendlindja e tij.
Që prej ditës që ministri Tahiri mori një mesazh kërcënues: “Lëre rëhat familjen Gjuta, se ndryshe do e pësosh”, u dyshua se ai fshihej brenda vendit.
Gjuta dyshohej se lëvizte në itinerarin Kosovë-Shqipëri, duke shfrytëzuar zonën kufitare pa kontroll, ndërsa dje u konfirmua se përdorte edhe maskim me paruke.
Por deri ditën e djeshme, policët nuk kishin rënë në gjurmët e tij për shkak të kamuflimit. Teksa po kthehej nga Tirana në drejtim të Kukësit me një makinë me targa kosovare dhe si pasagjer, i dyshuari është pikasur.
Kur ka parë postblloqet brenda tunelit, i kërkuari ka kuptuar se ra në kurth, duke mos bërë asnjë rezistencë.
Pas arrestimit të 35-vjeçarit u prangos edhe kosovari Blerim Thaçi, si dhe u shoqërua Indrit Ademi, që dyshohet se është ndihmës i tyre.