Pijet sportive janë shumë të popullarizuara ndër sportistët olimpikë. Cilët janë përbërësit kryesorë të pijeve sportive dhe në çka duhet kushtuar kujdes të veçantë nëse dëshironi të filloni t’i konsumoni?
ÇFARË GJENDET NË PIJET SPORTIVE?
Karbohidrate
Testet kanë treguar që çiklistët arrijnë rezultate më të mira kur shpëlajnë gojën me ujë të pasur me karbohidrate, se sa kur konsumojnë pije energjike të ëmbëlsuara pa karbohidrate. Karbohidratet aktivizojnë receptorët në gojë të cilët aktivizojnë zonat e trurit, të cilat, sipas hulumtimeve të paradokohshme, besohet që janë të përfshira në aftësitë motorike.
Elektrolitet
Pijet sportive gjithashtu përmbajnë elektrolite, siç janë natriumi dhe kaliumi, në mënyrë që të kompensojnë të gjitha ato që i humbin duke u djersitur.
Kafeinë
Një numër i konsiderueshëm i pijeve sportive përmbajnë kafeinë, dhe pikërisht ky alkaloid natyral në kombinim me pijet të cilat përmbajnë karbohidrate, përmirësojnë qëndrueshmërinë e garuesit. Mirëpo, sportistët duhet patjetër të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin pijet sportive me kafeinë, sepse shpesh përmbajnë substanca të palejueshme siç është eferdina.
DALLIMET MIDIS PIJEVE SPORTIVE
Nuk janë të gjitha pijet të njëjta, ndërkaq pijet izotonike, hipotonike dhe hipertonike përmbajnë sasi të ndryshme të karbohidrateve dhe elektroliteve. Pijet izotonike përmbajnë prej 6 deri në 8 për qind të karbohidrateve, gjë që do të thotë që shumë më lehtë sigurojnë depërtimin e lëngut në qarkullimin e gjakut. Pijet hipotonike kanë shumë pak natrium, ndërsa ato hipertonike ndihmojnë në këndelljen e trupit.
ÇKA DUHET TË PINI PAS STËRVITJES?
Pijet sportive janë goxha të tharta, andaj mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj. Nga pijet natyrale rekomandohen qumështi pa yndyrë, i cili është aleat i shkëlqyeshëm në këndelljen e trupit, sepse përmbajnë kombinimin e elektroliteve, laktozës dhe proteinave, të cilat janë ideale për dhëmbët tuaj. /Telegrafi/