Presidenti amerikan, Barack Obama dënoi sot ”vrasjet absurde” pas një sulmi me armë që shkaktoi nëntë të vdekur në një kishë të komunitetit me ngjyrë të Çarlestonit duke kërkuar edhe një herë një inkuadrim më të mirë të shitjes së armëve të zjarrit.
Duke shprehur dhimbjen e thellë dhe zemërimin e tij, Obama nënvizoi se ishte shumë e dhimbshme të jesh i pranishëm në një shkëmbim zjarri në një vend ku ne kërkojmë ngushëllim dhe paqe, në një vend lutjesh.
Autori i dyshuar i këtij shkëmbimi zjarri, Dylann Roof, një i ri i bardhë 21 vjeç, u arrestua sot.
“Ne nuk i kemi të gjitha faktet, por e dimë se, sërish, disa njerëz të pafajshëm u vranë, sepse dikush që donte t’u bënte keq nuk e pati të vështirë të siguronte një armë”, theksoi Obama.
“Ne duhet të pranojmë faktin se kjo tip dhune nuk ndodh në vendet e tjera të zhvilluara, kjo nuk ndodh me të njëjtën frekuencë”, shtoi ai.
“Dhe ne duhet të bëjmë diçka”, theksoi Obama duke shtuar se në një moment, populli amerikan do të duhet të përballet me këtë realitet (…) ne duhet të jemi të aftë të vlerësojmë mënyrën tonë të të menduarit mbi dhunën nga armët.
”Kjo nuk është hera e parë qe kishat e komuniteteve me ngjyrë janë sulmuar dhe ne dimë se urrejtja mes feve dge racave përbën një kërcënim real për demokracinë tonë dhe idealet tona”, nënvizoi Obama.