Muzeu dioqezian, i pari i këtij lloji në vendin tone, mbart mbi vete historikun e lindjes dhjetëra vjeçar të forcimit të besimit të krishterë. Një pavion të veçantë ka edhe për 38 martirët e fesë, të cilët do të shpallen të lumë në shtator nga Papa Françesku.
Katedralja e “Shën Shtjefnit” në Shkodër, e njohur ndryshe në të folurën e përditshme të banorëve të këtij qyteti si Kisha e Madhe, është brenda vetes historia e katolicizmit në këtë zonë.
Ndërtimi i saj ishte i veçantë, pasi banorët e Shkodrës kërkonin një “Duomo” të Milanos ta kishin edhe në qytetin e tyre.
Një leje (marrë për ndërtim) nga Sulltani, kontributi në para i pashait të Shkodrës, perandorit austro-hungarez dhe Papa Piut, për të shënuar me po aq rëndësi tokën e dhënë nga Martin Gjonej dhe gratë e Shkodrës, që vunë stolitë e tyre të arta në gurin e themelit ku shkruhet “Zoti sheh gjithçka”, është historia e kësaj kishe.
Por historia e një trashëgimie që shkon në 1850-ën do të plotësohej vetëm në 2016-ën, në atë që cilësohet si viti i shqiptarëve.
Pranë kësaj katedraleje hap dyert Muzeu dioqezan, i pagëzuar ndryshe si historia e shkruar dhe e folur e krishtërimit në Shqipëri.
Në atë Muze janë mbledhur dëshmi besimi, e përmes tyre edhe dëshmi të luftës e paqes që kanë kaluar e lënë gjurmë, ashtu sikundër pasqyrohet edhe rebelimi ndaj pushteteve, kur herë-herë është dashur që ritualet fetare të praktikohen në fshehtësi.
Nis thjesht dhe që në hyrje të prezatohet me 3 simbole, që janë ndryshe të përkthyera si 3 besimet fetare të shqiptarëve. Së pari, Muzeu jep mesazhin e harmonisë.
Objektet e ekspozuara janë të ralla, ashtu si edhe lidhja e besimit katolik me Shkodrën, simbolika që kanë gjetur vend në këtë Muze.
Komunizmi ishte një nga periudhat e errëta që kaloi vendi, e ku feja vuajti pasoja të rënda me persekucionin e egër 50 vjeçar.
Në Muze hapësira që i është kushtuar këtyre viteve është sa përshkruese, aq edhe mistike, siç në vetvete është besimi që ka shoqëruar në ato vite shqiptarët.
Kolë Idromeno është artisti që me Shkodrën e ka emrin të pandarë, por gjurmët që la në këtë qytet janë të forta edhe në katedralen e “Shën Shtjefnit”.
Kati i dytë i Muzeut ka një kombinim unik për nga historia, pasi aty gjenden objekte si kryqe, kambana, veshje, apo dokumenta të vjetra të meshtarëve të njohur që dhanë shumë për vendin.
Rrugëtimi nis me Zojën e Shkodrës, e njohur ndryshe si Pajtorja e Shqipërisë, portreti i së cilës shumë shpejt do të vijë si dhuratë nga Ministria e Kulturës punimi origjinal dhe jo kopja e tij, raporton Oranews.
Mes të tjerash në mur qëndron edhe një gjysmëkryq.
38 Martirët e fesë kanë këndin e tyre në këtë Muze.
Mbyllja i është kushtuar Kishës Katolike në 1990 me meshën e parë në Shkodër që riktheu lirinë e besimit pas viteve të errëta të komunizmit dhe ecjes 25 vjeçare në rrugën e ringritjes.
Kulmore mes tyre është vizita e Papa Gjon Palit të dytë në këtë qytet.
Në fund të këtij udhëtimi brenda Muzeut të parë të këtij lloji në Shqipëri, me famulltarin e Shkodres ndajmë edhe bisedën e fundit, atë që do të shënojë ky vit.
Dy ngjarje kulmore, ku bota do të flasë shqip. Me 4 shtator në Vatikan Nënë Tereza shpallet shenjt dhe me 5 Nëntor në Shkoder nga sheshi i kësaj katedraleje, 38 Martirët shpallen të lumë.
Në gur themelin e Katedrales shkruhet “Dio Vede Tutto” ose “Zoti Sheh Gjithçka”, e duket se Shkodrën e ka riparë me syrin e një martireje të gjallë, që i dha shumë kombit e që sot flet me historinë e saj, historinë e një populli të vuajtur por me besim të fortë e të palëkundur nga dallgët e jetës. (b.an)