Ka marrë një kthesë dramatike, por edhe me një përmasë politike, historia e një prej personazheve më të kërkuar nga policia shqiptare. Vladimir Gjuta, personi që dyshohet si organizatori i grupit që kreu shpërthimet me tritol tek farmacia e babait të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri është arrestuar të enjten mbasdite në rrugë e sipër drejt qytetit të Kukësit. Atij i janë vënë prangat në tunelin e Thirrës mbasi ishte ndjekur në rrugëtimin e tij që nga Tirana nga një grup policësh të RENEA-s.
Burime konfidenciale të policisë pohojnë se, në momentin e ndalimit Gjutës i është gjetur një listë me emra të simpatizantëve të kandidatit të koalicionit të majtë dhe se ai ishte nisur drejt Kukësit me qëllim frikësimin e tyre. Gjuta është përmendur si një lidhje e afërt e ish-ministrit të brendshëm Flamur Noka, gjë të cilën ai e ka mohuar vazhdimisht.
Gjuta u konsiderua si i dyshuari kryesor i kërcënimeve me sms në telefonin e ministrit të brendshëm. Që prej disa javësh, vetë ministri dhe familjarët e tij janë marrë në mbrojtje të përforcuar nga policia në 24 orë.
Gjuta është i njohur dhe për një konflikt personal me një nga personazhet më kontraversë e më të njohur të policisë shqiptare, i nxjerrë në lirim me ndryshimin e qeverisë. Ish-shefi i policisë që fliste të njëjtin dialekt me kuksianin Gjuta, mendohej se ishte i vetmi që ai e kishte realisht shqetësim.
Nëse verifikohet deri në fund, lista me simpatizantë të së majtës që do të kërcënoheshin, kjo do të ishte një histori tipike e të shkuarës shqiptare. Një histori që përfshinte në zgjedhje individë me të shkuar të errët penale që shërbenin për deformimin e rezultatit elektoral në zona të caktuara ku ata kishin ndikim.
Rikthimi i një precedenti të tillë nga Partia Demokratike dëmton seriozisht gjithë retorikën e akuzave të saj që pretendojnë se një gjë të tillë e bëjnë kundërshtarët socialistë.
Mungesa e sinqeritetit dhe hipokrizia janë dy “vese” të hershëm në politikën shqiptare, e cila merr lëndë të parë të llojit: Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë! Kësaj shprehjeje i janë shtuar dhe pozat prej viktime që po merr në mënyrë të përsëritur opozita e djathtë. Duhet thënë se përgjatë fushatave elektorale, si rregull, të gjitha opozitat kanë bërë me të drejtë apo të padrejtë rolin e viktimës. Kjo për shkak se sërish si rregull, klima e fushatës zgjedhore ka qenë gjithmonë e ashpër dhe palët kanë qenë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës. Por kësaj here, kthesa dramatike e historisë së një prej “banditëve” më të kërkuar në Tiranë, u morr në tunelin e Kukësit. Por në fundin e tij nuk pa më dritë, por prangat e RENEA-s.