E përditësuar/ Detaje të reja dalin në lidhje me atë që mund të jetë një atentat i mundshëm për vrasje. 3 persona kanë hyrë në një lokal në rrugën e Kavajës dhe kanë qëlluar mbi një shtetas, i cili fatmirësisht nuk ka patur dëmtime serioze.
Sipas raportimeve të deritanishme, personi i plagosur është dëmtuar në vesh. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës që njihet si ‘pallatet e Delijorgjit’.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shoqëruar dy persona, bëhet fjalë për dy shtetas kosovarë, Flamur Hoti dhe Anton Azizi, 26 dhe 31 vjeç, të dyshuar se kanë lidhje me ngjarjen.
Në këqyrjen e skenës së krimit nuk janë konstatuar gëzhoja plumbash, duke lënë të mendohet se arma me të cilën është qëlluar ka qenë me mulli.
Sakaq 3 personat që kanë hyrë në lokal janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, përfshi këtu edhe personin e plagosur lehtë. Ende nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një atentat të mirëfilltë apo diçka të një natyre tjetër.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Tek Salla Operative e Drejtorisë së Policisë Tiranë ka ardhur një telefonate se është dëgjuar një e shtënë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë ku eshte konstatuar se:
Dyshohet se tre persona jane konfliktuar per motive ende te paqarta tek ish parku i autobuzeve dhe njëri prej tyre ka qelluar një here me pistoletë në drejtim të një personi dhe janë larguar menjëherë.
Si pasojë e kësaj ngjarje deri tani nuk ka persona te demtuar . Jane shoqeruar dy prej personave të dyshuar te perfshire konflikt. Policia ne vendngjarje po punon për zbardhjen e sqarimin e rrethanave te ngjarjes.
………
Përplasje me armë në kryeqytet, pranë lagjes në rrugës 21 dhjetori. Dy persona janë përleshur mes tyre, teksa janë dëgjuar dhe të shtëna. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se ka patur një të plagosur por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar dy persona si të dyshuarit e konfliktit që ka sjellë përshkallëzimin e situatës deri në përdorimin e armëve.
Shkaqet e ngjarjes mbeten ende të pazbardhura. Ngjarja ka ndodhur pranë zonës që njihet si ‘pallatet e Delijorgjit’./java