Lou Pearlman, krijuesi i grupit Backstreet Boys dhe NSYNC, ka vdekur në moshën 62 vjeçare.
Sipas bazës së të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve, producenti dhe menaxheri ka vdekur të premten, transmeton Koha.net. Ai ka vdekur në burg teksa vuante një dënim, por shkaku i vdekjes ende nuk dihet.
Pearlman është dënuar për mashtrim për drejtimin e skemës 230 milionë dollarëshe, “Ponzi”, përmes kompanisë së tij Trans Continental. Ai ka ikur në Indonezi, por është kapur nga autoritetet në vitin 2007 dhe u dënua me 25 vjet burg në vitin 2008.
Lou Pearlman ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në vitet ’90-a, duke krijuar grupin e famshëm Backstreet Boys në Florida në vitin 1993. Pearlman ka krijuar edhe grupin tjetër të famshëm, NSYNC, si dhe ka bashkëpunuar edhe me O-Town, LFO dhe Innosence. Ai po ashtu ka bashkëpunuar shkurtimisht edhe me këngëtaren e njohur Britney Spears. Muzicientët dhe fansat e tij kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta përmes rrjeteve sociale. (b.an)