-Përfundon aksioni i Forcave të Armatosura “bluzat e bardha” për pastrimin e bregdetit.
Për 15 ditë mbi 2 mijë trupa të FA kanë bërë të mundur pastrimin e akseve kryesore rrugore dhe plazhet e jugut nga Vlora deri në Butrint.
Në këtë aksion janë angazhuar rreth 210 mjete të FA, të cilat kanë bërë të mundur transportimin e mbetjeve në vendgrumbnullimet e caktuara. Në total nga efektivët e FA janë zhvendosur nga akset rrugore dhe vija bregdetare rreth 500 metër kub mbeturina dhe 160 ton inerte. Përgjatë gjithë ditëve të aksionit FA ka bërë të mundur pastrimin e rreth 220 km vijë bregdetare.
Në përfundim të punës, trupat pjesmarrëse në këtë operacion i vizitoi zëvëndësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi i cili falenderoi trupat për punën dhe përkushtimin me të cilin kanë punuar, duke i shërbyer komunitetit dhe pushuesve në të gjithë vijën bregdetare.
Për zëvëndësministrin Koçi aksioni “bluzat e bardha” ishte një investim kulturor për të treguar se ambienti i përbashkët duhet ruajtur dhe respektuar.
“Me këtë aksion kemi të bëjmë me një investim edhe kulturor, sepse ky aksion ndryshon raportin e shoqërisë me mjedisin dhe me pastërtinë. Është një element shumë i rëndësishëm për të pasur një turizëm të suksesshëm, për të pasur një Shqipëri të pastër, për të pasur një bregdet tërheqës”, tha Koçi.
Zv. ministri Koçi i bëri thirrje pushtetit vendor që të vazhdojë bashkëpunimin dhe të strukturojë instrumenta aktivë për pastrimin e përhershëm të akseve rrugore të bregdetit. /r.a