Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama zhvilloi sot një takim me banorë të njësisë administrative Fushë Cidhen. Kandidati Rama pohoi se ndjehet i emocionuar për këtë pritje madhështore në një zonë e cila tradicionalisht është njohur si e djathtë.
“Unë kam ardh me një qëllim të caktuar sot. Fushë Alia ka filluar rrugën e ndryshimit dhe të zhvillimit. Ju premtoj këtu solemnisht se jemi të vendosur që ti thellojmë edhe më tej investimet e nisura. Kemi mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Rama. Investimet për Fushë Alien, për Bllicen dhe gjithë zonat që përfshin njësia administrative e Fushë Cidhenit do të jenë shumë herë më të mëdha”, u shpreh kandidati Rama.
Mjeku i njohur kishte dhe një mesazh tjetër për banorët e zones, referuar edhe karrierës së tij të gjatë si në spitalin e Dibrës.
“Ju më njihni mua në profesionin tim si mjek. Ka 20 vjet që ju shërbej dhe sot kërkoj mbështetjen tuaj. Unë do të angazhohem 10 herë më shumë. Kandidatura ime është fituese jo vetëm në Fushë Alie dhe Bllicë por në të gjithë Dibrën. Nesër, kur të fitoj bashkinë do të ulemi bashkë dhe derën e bashkisë do ta keni të hapur 24 orë”, theksoi doktor Rama.