Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha denoncon shkeljet e kryeministrit Edi Rama me ndërtimet pa leje të bashkëpunëtorëve të tij në kryeqytet duke e quajtur qeverisjen e Ramës një bandë që sundon me dy standarte.
“Në këto momente, një shkelje brutale e ligjit po ndodh në mes të Tiranës me lejen e Edi Ramës. Edhe pse godinat e paligjshme të oligarkut të tij Sadri Abazi tek Zogu i Zi, kanë vendim prishje, ai për 3 ditë ka shtuar një kat të tërë pa leje, dhe sot ka ngrehur skelat e po i vesh me xham”, thotë Basha në deklaratën e tij.
Duke sjellë në vëmendje penalizimet që i janë bërë qytetarëve deri në burgosje që vazhdojnë ende Basha thotë se kryeministri Rama po sundon me dy standarte.
“Mijëra njerëz kanë hyrë në burg këto tre vite dhe janë edhe sot në qeli për një avlli pa leje, apo një rregullim tjegullash. Po Sadriun pse nuk e zë ligji? Sepse nuk ka ligj, ka sundim bande me dy standarde. Banda që qeveris bën ç’të dojë, të sunduarit, shqiptarët janë të ndaluar.
Kjo padrejtësi duhet të marrë fund. Banda e Edi Ramës duhet shkulur me çdo çmim. Dhe kjo do ndodhë shumë shpejt. Shqipëria me mirë pa Edi Ramën”, shprehet kryetari i PD-së Basha në deklaratë.
ma.me