Operatorët postarë janë të bindur se pavarësisht zhvillimeve teknologjike, aktiviteti i postave do të mbijetojë, gjithnjë nëse do të arrijë të përshtatet.
“Futja e shërbimeve elektronike ka ndikuar në rënien e numrit të objekteve postare, si letra kartolina jo vetëm për Postën Shqiptare, por në përgjithësi, ky është një trend dhe problematikë globale për të gjithë operatorët postarë. Ndërkohë, ne kemi marrë masa për të përqafuar inovacionet teknologjike”, thotë Majlind Lazimi, drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare.
Për Qirjako Theodhorin, drejtor i DHL, “në Shqipëri ka rritje të dokumenteve për vetë faktin se biznesi është në zhvillim, hyjnë biznese të reja, kompani të huaja, dhe duke qenë se baza e zhvillimit është ende e vogël do të ketë rritje edhe në të ardhmen, pasi kërkesa për shkëmbim dokumentacioni me jashtë rritet së bashku me biznesin”.
Elvin Plumbi, Administrator i Albanian Courier, thotë se problem në këtë sektor mbetet dhe informaliteti. “Ne ndihemi të konkurruar, jo vetëm nga operatorët postarë të licencuar që përpiqen të ulin çmimet në limitet e kostove, por edhe nga operatorët e shërbimeve të ndryshme, si p.sh.ata të shërbimit udhëtar ndërqytetas dhe ndërkombëtar (autobusë, furgonë, kamionë etj.) Këta operatorë rrisin ndjeshëm informalitetin në tregun postar”.
Të njëjtin shqetësim ka dhe Dorian Vezuli, Administrator United Transport sh.p.k. (Uni Trans). “Ka ardhur momenti që tregu të formalizohet duke u ndaluar transporti i mallrave (porosive në gjuhën popullore) nga subjektet e palicencuara si transporti privat i taksive, furgonëve dhe autobusëve brenda dhe jashtë vendit. Ndalimi i transportit të objekteve postare nga këto subjekte do të sjellë ulje të informalitetit dhe kontrabandës, qarkullimi i tyre do të taksohet sipas ligjeve në fuqi”.
Jemi pozitiv për 2016-n
Flet Majlind Lazimi, Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare
Cila ka qenë ecuria e Postës Shqiptare gjatë vitit 2015 krahasuar me vitin 2014, në treguesit e përgjithshëm? Po sa i përket ecurisë së deritanishme të këtij viti dhe si e parashikoni vazhdimin?
Posta Shqiptare realizoi treguesit ekonomiko-financiarë për vitin 2015 me rezultate shumë pozitive.Të ardhurat u realizuan në masën 105.1% dhe fitimi 323% në krahasim me programin 2015.Ndërsa, në krahasim me vitin 2014, të ardhurat u realizuan në masën 110.5%.Edhe 2016 duket një vit i mbarë për aktivitetin ekonomiko-financiar të Postës Shqiptare. Po t’u referohemi statistikave për tremujorin e parë të vitit 2016 janë realizuar të ardhurat në masën 109% dhe fitimi ka tejkaluar disafish programimin e 2016. Nisur nga ky fakt dhe tendenca e të ardhurave për vitin 2016, jemi optimistë se rezultati në fund të vitit do të jetë pozitiv, përtej pritshmërive tona.
Cilat kanë qenë efektet nga hyrja në fuqi e ligjit që u miratua vitin e kaluar?
Ligji 46/2015 “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë” përcakton si qëllim sigurimin e ofrimit të shërbimit universal postar në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, mbrojtjen e interesave të përdoruesve dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të tyre. Nxitja e konkurrencës së lirë dhe efektive, përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimit janë gjithashtu pjesë e rregullimeve me këtë ligj. Ky ligj i jep operatorit publik postar Posta Shqiptare të drejtën ekskluzive të ruajtjes së zonës së rezervuar për objektet postare deri në 50 gr, deri në fund të vitit 2016. Gjithashtu, ky ligj autorizon Postën Shqiptare deri në vitin 2020, si ofruesin e vetëm të shërbimit universal postar. Sigurisht në këtë ligj janë përcaktuar qartë të drejtat dhe detyrimet, si të ofruesit të shërbimit postar dhe funksionimi i rregullatorit AKEP. Është përcaktuar qartë e drejta e kompensimit të kostove shtesë të ofruesit të shërbimit universal postar, si dhe ka dhënë të drejtën e liberalizimit pas vitit 2020 të ofrimit të shërbimit universal postar dhe nga ofrues të tjerë, sigurisht duke plotësuar kushtet që parashikon ky ligj.
Si e gjykoni konkurrencën kundrejt operatorëve privatë?
Ashtu siç parashikon ligji, bazuar dhe në rekomandimet e BE-së, tashmë tregu i shërbimit postar është i liberalizuar.Aktualisht, në tregun postar, janë rreth 11 operatorë postarë, të cilët zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri. Posta Shqiptare zë rreth 90% të shërbimit postar në këtë treg, ndërsa në shërbimin postar ekspres, zë rreth 24% të tregut. Pavarësisht kësaj, ne si Posta Shqiptare, në objektivin tonë, kemi rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrojmë, sipas standardeve botërore për të qenë lider në këtë treg. Konkurrenca besoj do të na ndihmojë edhe ne për të përmirësuar shërbimin ndaj klientëve tanë.
Sa kanë ndikuar në ecurinë e shërbimeve postare futja e shërbimeve elektronike?Si reagoni ju përballë kësaj sfide?
Sigurisht, futja e shërbimeve elektronike ka ndikuar në rënien e numrit të objekteve postare, si letra kartolina jo vetëm për Postën Shqiptare, por në përgjithësi, ky është një trend dhe problematikë globale për të gjithë operatorët postarë. Ndërkohë, ne kemi marrë masa për të përqafuar inovacionet teknologjike, për të kompensuar dhe për të diversifikuar portofolin tonë të shërbimeve me produkte të tjera postare siç është “e-commerce” (tregtia elektronike), zgjerimi i shërbimeve financiare bankare, shitja e produkteve të biznesit, etj.
A ka sjellë tregtia online rritje të dërgesave me pako në transportin ndërkombëtar?
Prej disa vitesh, tregtia online ka lulëzuar në të gjithë botën dhe Posta Shqiptare po ia del me sukses të mirëkapitalizojë këtë tendencë në rritje (rreth 40% në vit). Po punojmë në disa drejtime për t’ju përshtatur këtij tregu të ri, i cili konsiston në transformimin e shërbimit postar shqiptar, në përshtatje me teknologjitë bashkëkohore. Kjo risi e tregtisë globale ka gjetur shtrirje pothuajse kapilare në të gjithë vendin me dominancë të natyrshme të Tiranës, ku destinohen rreth 50% e tyre, kjo edhe për faktin se në kryeqytet është përqendruar rreth 1/3 e popullsisë. Pastaj, volumet më të mëdha shkojnë në Shkodër 10%, Durrës 9%, Fier 6%, Korçë 5%, Vlorë 4%, Berat 3% e me radhë qytetet e vogla 1-2%.
Po sa u përket tarifave? A parashikoni rritje?
Për të qenë eficente dhe për të konkurruar denjësisht në tregun e liberalizuar të shërbimeve postare, Posta Shqiptare duhet t’u përgjigjet dinamikave të zhvillimit ekonomik të vendit nëpërmjet mekanizmave, një nga të cilët është dhe ndryshimi i tarifave në shërbimin universal postar. Aktualisht Posta Shqiptare në shërbimin universal postar, punon me të njëjtat tarifa që nga viti 2003, ndonëse aktiviteti i saj ka pësuar ndryshime thelbësore në rritjen e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës dhe implementimin e teknologjive të reja, shtimin e shërbimeve, ndryshimet në detyrimet për operatorët ndërkombëtarë etj.Nga ana tjetër, Posta Shqiptare është shoqëri tregtare publike me vetëfinancim, pra nuk merr buxhet apo subvencione nga qeveria, përkundrazi ne kontribuojmë në buxhetin e shtetit me dividendin e paguar çdo vit. Në 2015, realizuam një rritje prej më se 14% për pagat e postierëve dhe rreth 10% për sportelistët dhe stafin e administratës me synimin e rritjes së performancës së punonjësve tanë. Pavarësisht rritjes së kostove në 13 vitet e fundit, ne ia kemi dalë në 2014-2015 të tejkalojmë fitimin e programuar. Për momentin, nuk kemi parashikuar rritje të tarifave.
Ndryshe nga vendet e tjera, Posta Shqiptare përballet edhe me problemin e mungesës së adresave të sakta, sa vështirësohet shërbimi nga ky handikap? Çfarë masash merrni ju për ta minimizuar?
Kryesisht vështirësitë janë në Rrethin e Tiranës. Për këtë qëllim, është ngritur një grup ndërqeveritar, pjesë e të cilit është dhe Posta Shqiptare për përfundimin e implementimin e sistemit të dixhitalizuar të sistemit të adresave në të gjithë vendin. Projekti është ambicioz dhe po punohe për ta përfunduar në kohë. Implementimi i sistemit të dixhitalizuar të sistemit të adresave do të jetë një ndihmë shumë e madhe jo vetëm për institucionet, subjekte të ndryshme si përdorues, por ndërkohë do të jetë në shërbim dhe të vetë qytetarëve. Edhe ne si përdorues sigurisht që e ndiejmë vështirësinë e mungesës së adresave, por punohet nga vetë shpërndarësit të cilët janë njohës të mirë të zonave të shpërndarjes, duke evidentuar banorët në adresat e tyre.
——————–
Të shfrytëzohet më shumë tregu ndërkombëtar
Flet Qirjako Koçollari, Drejtor i Përgjithshëm i DHL International (Albania) Ltd
Cila ka qenë ecuria e DHL-së gjatë vitit 2015 krahasuar me vitin 2014, në treguesit e përgjithshëm? Po sa i përket ecurisë së deritanishme të këtij viti dhe si e parashikoni vazhdimin?
Ecuria e DHL gjatë vitit 2015 dhe fillimi i 2016-s ka qenë pozitiv. Për sa i përket volumit të dërgesave ndërkombëtare, eksport apo import, sidomos duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, e në vazhdim këtë vit, rritja në përqindje ka qenë dyshifrore. Rritja ka specifikat e veta, që janë reflektim i cilësisë së shërbimit, plotësimi i kërkesave të klientëve, thjeshtësia e përdorimit, zgjidhjeve që ne japim për klientët, etj., nga njëra anë, dhe zhvillimi ekonomik i vendit nga ana tjetër. Rritja dhe trendi pozitiv që vazhdon te ne influencohet nga sa më sipër. Zhvillimi, rritja e investimeve, rritja e biznesit në përgjithësi ndikon zhvillimin e shërbimeve ekspres dhe të transportit në përgjithësi. Këtu futen jo vetëm disa investime të rëndësishme që janë në proces në vend, por edhe biznese të ndryshme të reja apo në rritje, përfshirë edhe një fillim mund të themi të shitjeve online, eksport nga Shqipëria.
Cilat kanë qenë efektet nga hyrja në fuqi e ligjit që u miratua vitin e kaluar?
Janë dy ligje që prekin drejtpërdrejt operatorët postarë dhe ekspres. Është ligji “Për Postat” dhe Kodi i ri Doganor. Për sa i përket ligjit “Për Postat” jep një rrugë zhvillimi për të ardhmen. Ka mendime apo mangësi të ndryshme, por përafrohet më shumë me zhvillimet që ndodhin në industrinë e postave në Europë e më gjerë.Ne si DHL Express kemi disa pika të përbashkëta me shërbimin postar, por nuk jemi shërbim postar, pavarësisht se në Shqipëri, ashtu si edhe në disa vende të tjera, marrim licencë postare.Ka ndryshime thelbësore në produktet dhe shërbimet ekspres dhe ato postare.Ne nuk japim shërbime postare në kuptimin që në gjuhën angleze quhet mail services.Shërbimet e DHL janë me kohë të përcaktuara, ndryshojnë si shërbim, në mënyrën e operimit, teknologjisë, zgjidhjeve që jepen për klientët, etj.Në këtë kuptim, ligji merret me shërbimet postare apo Mail Services, dhe pak ose shumë pak prek operatorët ekspres.Disa udhëzime më pas mundohet të bëjnë disa përcaktime më mirë. Për sa i përket Kodit të ri Doganor, bën më shumë përafrim me Kodin Europian Doganor. Por më shumë e rëndësishme sesa Kodi Doganor duhet të jetë vetë zhvillimi i doganave.
Sa kanë ndikuar në ecurinë e shërbimeve postare futja e shërbimeve elektronike?Si reagoni ju përballë kësaj sfide?
Sfida e shërbimeve të tjera të komunikimit duke zëvendësuar komunikimin me letra ka filluar me kohë që me futjen e shërbimeve të faksit që edhe ky ka ikur dhe tashmë janë komunikimet më moderne elektronike. Kjo ka pasur dhe ka ndikimin në shërbimet postare (Mail Services) dhe sidomos në ato shërbime të lidhura me marketingun edhe më shumë.Po ashtu, komunikimet me letra tradicionale, sidomos private, kartolina, etj.Në shërbimet ekspres ka ndonjë lloj të dokumenteve me përmbajtje të përcaktuar, që mund të ketë ndikuar disi, që më parë komunikimi kryhej me shërbimin ekspres. Por dokumentet që dërgohen me shërbimin tonë kanë një vlerë tjetër autenticiteti, etj., që kërkon një dorëzim në adresë, të shpejtë, të sigurt, të gjurmueshëm, me kohë të përcaktuar. Nuk mund të themi që ka një impakt të tillë.Mund të duket pak jo reale, por është fakt që vazhdohet të rriten apo nuk kanë rënë volumet e dokumenteve.
Në Shqipëri ka rritje të dokumenteve për vetë faktin se biznesi është në zhvillim, hyjnë biznese të reja, kompani të huaja, dhe duke qenë se baza e zhvillimit është ende e vogël do të ketë rritje edhe në të ardhmen, pasi kërkesa për shkëmbim dokumentacioni me jashtë rritet së bashku me biznesin. Përveç kësaj, ka edhe këmbim dokumentacioni me jashtë për plotësimin e kërkesave të dërguesve privatë.Duhet të kemi parasysh se dokumentet janë një pjesë dhe pjesa tjetër janë dërgesat që nuk janë dokumente, por pako apo mallra ekspres.Volumi i tyre rritet në mënyrë të vazhdueshme me rritjen e biznesit.Në aspektin tjetër, zhvillimi elektronik i ka dhënë zhvillim shërbimit ekspres.Janë bërë hapa dhe zhvillime të jashtëzakonshme. Ne te DHL kemi qenë gjithnjë në pararojë të këtyre zhvillimeve. P.sh., në hapat e parë në Shqipëri, informacioni për dërgesat, pranimi, tranzitimi, dorëzimi, bëhej nëpërmjet komunikimit në rrjet me anë të sistemit të SITA. Ne ishim të parët që futëm në Shqipëri email-in. Menjëherë pas kësaj, gjurmimin në internet. Sot, kemi një zhvillim teknologjik të tillë të DHL-së në Shqipëri që, nëse një biznes merr një porosi online, automatikisht gjenerohet AËB (dokumenti shoqërues) dhe automatikisht informohet DHL për t’ia marrë dërgesën në adresë dhe ta dorëzojë në adresën nga ku është bërë kërkesa për blerje në çdo vend të botës.
A ka sjellë tregtia online rritje të dërgesave me pako në transportin ndërkombëtar?
Po, sigurisht.Jo vetëm në import, por edhe në eksport. Kjo është një arsye plus që ne kërkojmë një vështrim serioz, punë konkrete të autoriteteve doganore, por edhe të Ministrisë së Ekonomisë, si dhe Financave që të nxisin dhe ndihmojnë bizneset në këtë aspekt. Së pari, të njihen dhe të kuptojnë sesi mund të zhvillohen dhe si mund të ndihmojnë. Shitje online mund të jenë dërgesa nga prodhimi vendas, që mund të shitet në tregje të caktuara, apo prodhim të segmenteve të caktuar, prodhim të plotë apo të pjesshëm, apo vetëm paketim, apo vetëm logjistike. Mund të jenë dërgesa me vlerë të lartë, por çmim konkurrues, ose çmim më të ulët për arsye të kostove të prodhimit apo paketimit e logjistikës, por mund të jetë me vlerë emocionale apo tradicionale për komunitetin shqiptar, etj.Pra ka shumë mundësi që së pari po kapen nga disa të rinj në biznes, por që nuk është çudi të kenë sukses të madh. Por detyra e autoriteteve është t’ua bëjnë jetën këtyre bizneseve të rinj sa më të lehtë me anë të suportit teknologjik të doganave, mospengesave tatimore dhe doganore me procedura të tepërta pa arsye, lehtësimit në magazina doganore sipas rastit, si dhe nxitjes me mënyra stimuluese.
——————–
Tregu i vogël, konkurrenca problem kryesor
Flet Elvin Plumbi, Administrator i Albanian Courier. Ne vazhdojmë të kërkojmë nga autoritetet e tatimeve, doganave, Ministrisë së Transporteve që të ushtrojnë më shumë kontrolle, për t’i dhënë fund informalitetit në tregun postar
Cila ka qenë ecuria e kompanisë gjatë vitit 2015 krahasuar me vitin paraardhës në treguesit e përgjithshëm? Po për sa i përket ecurisë së deritanishme të këtij viti dhe si e parashikoni vazhdimin?
Për sa i përket vitit 2015 ka qenë një vit me më shumë aktivitet dhe me më shumë të ardhura. Krahasuar edhe me vitin 2014 është shënuar rritje në volumin e shërbimit postar.Sa i përket vitit 2016, parashikimet tona janë për një rritje më të vogël krahasuar me periudhat e mëparshme sidomos në shërbimin e postar për dokumentet, ku mendojmë se do të ketë stepje në kërkesë.
Cilat kanë qenë efektet nga hyrja në fuqi e ligjit që u miratua vitin e kaluar?
Ajo që mund të themi është se nuk pati ndonjë efekt pozitiv. Megjithatë, ndoshta është pak herët për të pritur që këto ndikime të ndihen që në vitin e parë të zbatimit, çka do të thotë se mund të vihen re në një periudhë më afatgjatë.
Me ligjin e ri, operatorët kanë më shumë detyrime për të raportuar dhe për të zbatuar udhëzimet e Agjencisë së Komunikimeve Postare dhe Elektronike.
Si e gjykoni konkurrencën në fushën e shërbimeve postare?
Në një treg të vogël, si ky i yni që nuk të ofron shumë, konkurrenca mbetet problem kryesor. Ne ndihemi të konkurruar, jo vetëm nga operatorët postarë të licencuar që përpiqen të ulin çmimet në limitet e kostove, por edhe nga operatorët e shërbimeve të ndryshme, si p.sh.ata të shërbimit udhëtar ndërqytetas dhe ndërkombëtar (autobusë, furgonë, kamionë etj.) Këta operatorë bëjnë rrisin ndjeshëm informalitetin në tregun postar.Ata ofrojnë një shërbim për të cilin janë të palicencuar dhe të pafiskalizuar.
Në lidhje me këtë shqetësim, ne kërkojmë marrjen e masave nga autoritetet tatimore, të doganave, si dhe të Ministrisë së Transportit për të ushtruar më shumë kontrolle me qëllim dhënien fund të informalitetit në tregun e shërbimeve postare. Një tjetër shqetësim për ne mbetet edhe fakti se ndihemi të konkurruar edhe nga mungesa e pjesëmarrjes në tenderët që zhvillojnë institucionet shtetërore, të cilët kanë nevojë për shërbime postare, por që janë të detyruar t’i blejnë këto shërbime nga Posta Shqiptare. Në një shtet që mbahet nga tatimpaguesit, ne ndihemi të përjashtuar për të ofruar shërbimet tona postare.
Sa kanë ndikuar në ecurinë postare futja e shërbimeve elektronike?Si reagoni ju përballë kësaj sfide?
Shërbimet elektronike kanë ndikuar në tregun postar pasi shumë dërgesa të llojit dokumente të postës direkte nuk ofrohen më në rrugë tradicionale, por online.Ne përpiqemi çdo ditë që të ofrojmë shërbim cilësor dhe të plotë për klientët, si dhe t’i përgjigjemi zhvillimit të teknologjisë.
A ka sjellë tregtia online rritje të dërgesave me pako në transportin ndërkombëtar?
Falë zhvillimit të tregtisë online është shënuar rritje e dërgesave gjatë vitit 2015 si në transportin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë kombëtar të pakove.
Ritmi i rritjes së kërkesës për këtë shërbim ka qenë i lartë dhe besojmë se kjo tendencë do të vazhdojë të mbetet e tillë.
Po sa u përket tarifave të shërbimeve postare, a kanë pësuar ato ndryshime?
Tarifat për efekt të rritjes së konkurrencës në përgjithësi, por edhe asaj jo të ndershme, nga ana tjetër edhe për efekt të rritjes së shërbimeve elektronike, kanë pësuar zbritje.
Ky sektor përballet edhe me problemin e mungesës së adresave të sakta, sa vështirësohet shërbimi nga ky handikap? Dhe çfarë masash merrni ju për ta minimizuar?
Ky sektor ka shumë probleme. Në lidhje me problemin e adresave ne jemi munduar ta zgjidhim përmes identifikimit me anë të telefonisë së lëvizshme duke saktësuar adresat, por edhe duke shtuar numrin e punonjësve në terren. Këto probleme gjejnë zgjidhje me anë të rritjes së kostos së shërbimit postar.Mendoj se është e nevojshme që qeveria duhet të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi, duke garantuar sistem të saktë të adresave.
——————–
Ka ardhur momenti që tregu të formalizohet
Flet Dorian Vezuli, Administrator United Transport sh.p.k. (Uni Trans)
Tregu postar në Shqipëri është i vogël (ashtu si dhe vetë ekonomia shqiptare), ende i pazhvilluar në krahasim me vendet e rajonit dhe ato europiane. Izolimi dhe moslejimi i tregut të lirë para viteve ‘90 ka ndikuar negativisht në këtë treg. Pas viteve ‘90, me hyrjen në tregun shqiptar të ofruesve ndërkombëtarë të shërbimeve postare, ky treg filloi të marrë një strukturim pozitiv, duke u rritur standardi i shërbimit të ofruar, “edukimi” i klientëve dhe si rrjedhojë, rritja e kërkesave të tyre ndaj tregut. Zhvillim pozitiv në treg ka luajtur dhe krijimi i kompanive postare me kapital shqiptar, rritja e konkurrencës patjetër që ndikon pozitivisht në cilësinë e shërbimit. Është ende rrugë e gjatë për t’u bërë në përmirësimin dhe zhvillimin e tij, është një proces i vazhdueshëm që kërkon përfshirjen e gjithë palëve të interesuara.
Një frenim në ecurinë pozitive solli kriza ekonomike aktuale globale, Shqipëria i ndjeu pasojat e krizës më vonë se vendet e rajonit, kjo situatë e vështirë u pasqyrua dhe në tregun postar, ku klientët morën masa në uljen e kostove operative, duke reduktuar numrin e dërgesave të tyre apo duke zgjedhur opsione transporti më të ngadalta dhe më të lira.
Kriza ndikoi edhe në aktivitetin e kompanisë sonë por me masat që u morën në uljen e kostove, rritjen e eficiencës dhe vazhdimin e investimeve strategjike rezultuan të ishin hapat e duhur në tejkalimin e saj. Shifrat operacionale dhe financiare të dy viteve të fundit tregojnë rritje në vitin 2015 ndaj 2014. Ky trend pozitiv rezulton dhe në 3-mujorin e parë 2016, kemi arritur të ruajmë dhe të konsolidojmë pozicionin tonë në tregun e shërbimeve postare ndërkombëtare ekspres.
Zhvillimi dhe rritja e përdorimit të teknologjisë së informacionit ka pasur dy ndikime të kundërta në tregun postar: si pasojë e rritjes së shkëmbimit elektronik të informacionit vërejmë rënie të volumit postar të dokumenteve, nga ana tjetër vërejmë rritje të pakove të tregtuara online apo e-commerce. Gjithashtu, rritja e nivelit minimal të vlerës së deklaruar në doganë e mallrave të blera nga individët ka ndikuar pozitivisht në rritjen e blerjeve online.
Në zhvillimin pozitiv të tregut postar shqiptar, duhet patjetër të ndikojë AKEP dhe qeveria si rregullatorë të tregut. Ka ardhur momenti që tregu të formalizohet duke u ndaluar transporti i mallrave (porosive në gjuhën popullore) nga subjektet e palicencuara si transporti privat i taksive, furgonëve dhe autobusëve brenda dhe jashtë vendit. Ndalimi i transportit të objekteve postare nga këto subjekte do të sjellë ulje të informalitetit dhe kontrabandës, qarkullimi i tyre do të taksohet sipas ligjeve në fuqi.
Shikoj si zhvillim pozitiv ligjin e ri postar nga AKEP i cili ju jep akses kompanive private postare të mund të ofrojnë në të ardhmen shërbimin universal postar, duke eliminuar monopolin aktual. Është i nevojshëm përmirësimi i sistemit të adresave të sakta në Shqipëri i cili do të ndikojë pozitivisht në rritjen e eficencës së shpërndarjes dhe grumbullimit të objekteve postare te klientët.
United Transport sh.p.k. (Uni Trans) operon në Shqipëri prej vitit 1996 si kontraktor i autorizuar shërbimi i UPS. United Parcel Service, Inc. (UPS) është themeluar më 1907 në Uashington, SHBA.UPS është kompania më e madhe në botë për shpërndarjen e pakove dhe lider botëror në ofrimin e shërbimeve të specializuara të transportit ekspres dhe logjistikës.
United Transport sh.p.k. ofron në Shqipëri shërbim postar ekspres ndërkombëtar UPS, Cargo ajër, shërbime doganore, si dhe shërbim postar ekspres brenda vendit. Klientët tanë janë të kategorive të ndryshme, duke filluar nga individë, biznese “start-up”, kompani vendase, ndërkombëtare, institucione financiare, trupa diplomatike, ambasada, etj.
Eksperienca a gjatë globale ka bërë të mundur krijimin, pasurimin dhe ofrimin e një paketë vlerash për klientët tanë, jemi krenarë t’ju prezantojmë klientëve vlerat tona themelore si integriteti, inovacioni, shërbimi, siguria, mirëqenia, bashkëpunimi, respekti, cilësia, eficenca, diversiteti, përfshirja dhe qëndrueshmëria. Janë këto vlera të krijuara që së bashku me transformimin dhe investimin për tu rritur bëjnë të mundur realizimin e vizionit tonë për të ndërlidhur një komunitet global nëpërmjet rrjeteve inteligjente logjistike.
Ndryshimet që solli ligji i ri
Hyrja në fuqi e Ligjit 46/2015 solli ndryshim në sistemin e licencave/autorizimeve të ofruesve të shërbimit postar. AKEP me Vendimin e Këshillit Drejtues nr. 2581, datë
22.06.2015, pajisi subjektin Posta Shqiptare sh.a., me Autorizim Individual për ofrimin e shërbimit universal postar, me afat 5-vjeçar. Gjithashtu, në dhjetor 2015, përfundoi procesi i transpozimit të licencave të përgjithshme për ofrimin e shërbimeve postare në certifikata konfirmimi njoftimi, sipas sistemit të autorizimit të përgjithshëm për 11 subjekte ofrues të shërbimeve postare, duke përdorur modulin online të AKEP për këtë qëllim.
Më parë, operatorët postarë paguanin një tarifë fikse vjetore prej 30,000 lekësh për rinovim licence. Me ligjin e ri nr. 46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë” ata u detyruan të paguajnë pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) një pagesë vjetore për të mbuluar kostot administrative respektive të AKEP-it për mbikëqyrjen e tregut postar, e cila nuk duhet të jetë më shumë së 0,5% e së ardhurës vjetore të vitit kalendarik të mëparshëm, të siguruara vetëm nga shërbimet postare./Monitor/a.m.