Tjetër nen që kufizon lirinë e mediave në Shqipëri. Dy ditë pas tërheqjes së ligjvënësve nga neni 13 i draftit për institucionet antikorrupsion, “Shqiptarja.com” zbulon një tjetër paragraf, tashmë në projektligjin për organizmin dhe funksionimin e prokurorisë, zbatimi i të cilit mund të çojë në instalimin e censurës në vend, duke dënuar me burg gazetarët që investigojnë veprimtarinë e prokurorëve.
Bëhet fjalë për paragrafin e tretë të nenit 6 të projektligjit për prokurorinë që parashikon që“çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete, i ushtruar përmes autoritetit publik, mjeteve të informacionit apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë që cenon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.”
Përmbajtja është pothuajse e e njejtë me nenin 13 të projektligjit për SPAK-un. Thjesh fjala media është zëvendësuar me togfjalëshin “mjeteve të infomacionit”.
Pra, ndikimi i papërshtatshem mbi prokurorët me mjete informacioni dënohet sipas ligjit, në rastin konkret, deri në tre vjet burg, sikundër parashikohet në Kodin Penal.
Drafti në fjalë është shqyrtuar në parim dhe nen për nen nga komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi, ku si relator figuron deputeti Ulsi Manja.
Gjatë shqyrtimit, anëtaret e komisionit nuk kanë bërë asnjë diskutim mbi paragrafin e tretë të nenit gjashtë i cili prodhon të njëjtat efekte si pragrafi i tretë i nenit 13 të ligjit për SPAK./a.m.