Ministria e Financave njoftoi të enjten se ka sekuestruar sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të shoqërive “Energji” shpk, “400” KE, “Fuqi” shpk, “Cable system” shpk dhe “Agon-set” shpk në zbatim të vendimit të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë.
Përmes një njoftimi për shtyp, MF informoi se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme mbi bllokimin e llogarive dhe kuotave në emër të personave të caktuar në vendimin e mësipërm, duke ju drejtuar institucioneve përgjegjëse për ekzekutimin e këtij urdhri.
“Në zbatim të këtij vendimi, grupi i punës nga data 17 qershor nisi procedurat për evidentimin, sekuestrimin dhe marrjen në administrim të pasurive të caktuara sipas vendimit të gjykatës. Në prani të përfaqësuesve të shoqërisë “Agon-set” sh.p.k u kërkua zbatimi i vendimit të mësipërm. Me kryerjen e ekzekutimit të vendimit të mësipërm, u mbajt procesverbali mbi evidentimin dhe marrjen në dorëzim të aseteve, i cili u firmos nga të gjithë të pranishmit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave