Zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar të bashkisë Dibër, që do të mbahen më 11 shtator, janë për palët politike një test i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.
Partia Socialiste, e mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, do të konkurojë në këto zgjedhje me kandidatin Muharrem Rama, ndërsa Partia Demokratike e opozitës do të garojë me kandidatin Sherefedin Shehu, ish-deputet i saj në këtë zonë zgjedhore.
Për zgjedhjet në bashkinë Dibër janë regjistruar zyrtarisht në KQZ dy koalicione, ai i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i drejtuar nga Partia Socialiste dhe koalicioni i djathtë, “Aleanca popullore për Punë dhe Dinjitet”, i drejtuar nga Partia Demokratike.
Partitë që mbështesin kandidatin socialist Muharrem Rama janë 4, ndërsa partitë që mbështesin kandidatin demokrat, Sherefedin Shehu janë 12.
Të regjistruar në listat e votuesve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, figurojnë 57.018, ndërsa do të prodhohen 58.158 fletë votimi.
Procesi elektoral në Dibër do të administrohet nga një komision zonal i administrimit zgjedhor (KZAZ), ndërsa janë ngritur 118 qendra votimi.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të bashkisë Dibër erdhën pas vendimit të qeverisë për shkarkimin e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili, per shkak te publikimit në media të disa pamjeve, ku ai kërkonte favore seksuale nga një vajzë e re, ne kembim te nje vendi pune. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e tij, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme në këtë bashki të madhe në pjesen verilindore te vendit./a.m