Personat që kanë probleme me shëndetin mendor përbëjnë një rrezik potencial për qytetarët, sidomos për fëmijët. Vetëm në rrethin e Vlorës janë rreth 1600 persona që kurohen për probleme mendore, ndërsa policia e ka të pamundur t’i mbajë të gjithë ata nën kontroll.
Shifra alarmante është dhënë dje nga ish-shefi i Komisariatit të Vlorës, Agim Basha. Në një reagim të tij në rrjetin social “Facebook” në lidhje me ngjarjen e rëndë të Palasës, Basha publikoi shifrën e mësipërme, duke e konsideruar atë si një alarm për sigurinë.
Basha ka qenë shef i Komisariatit të Vlorës në vitin 2014, dhe gjatë kësaj periudhe ai është përballur me disa ngjarje të rënda, ku autorët gjatë hetimit kanë rezultuar se janë me probleme të shëndetit mendor.
“Krimi makabër i ndodhur në Palasë ekspozon indiferencën kolektive dhe institucionale ndaj personave me shëndetin mendor të dëmtuar. Sëmundjet mendore, që prekin jo pak njerëz, nuk janë vetëm një problem individual. Disa nga këta të sëmurë janë rrezik publik. Në një nga detyrat e mia si shef i Komisariatit të Policisë në një rreth konstatova se shumë zënka e konflikte me ose pa pasoja kishin protagonistë personat me probleme mendore. Kjo më nxiti të bëj identifikimin e numrit të përgjegjshëm dhe të përcaktoja kush përbënte rrezik. Shifra ishte befasuese, rreth 1600 persona kishin probleme me shëndetin mendor. Kishte dhe disa qindra që e mbanin të fshehtë. Dhjetëra prej tyre ishin agresivë, që për publikun dhe policinë do të thotë rrezik. Edhe pse identifikuam personat, adresat e banimet, vendosëm komunikim me familjarët, duke i udhëzuar dhe aksesuar për çdo rast, kuptova pamundësinë e Policisë. Është përgjegjësi e institucioneve të shëndetit dhe pushtetit vendor zgjidhja e përhershme e trajtimit të personave me shëndetin mendor të dëmtuar. Nuk mund të shpërfillen më”, shkruan në rrjetin social ish-shefi i Komisariatit të Vlorës.
Sipas tij, rreth 1600 persona rezultoi se kuroheshin dhe kjo shifër ishte në sajë të një koordinimi me pushtetin vendor, spitalin dhe policinë (specialistët e Policisë së Zonave).
Ky fakt është mjaft alarmant, duke pasur parasysh faktin se ata trajtohen nëpër banesa me medikamente, dhe jo në pak raste mund të ketë edhe neglizhencë të të afërmve të tyre për t’ua dhënë në mënyrë të rregullt këtë medikament.
Por në shifrën e mësipërme nuk janë futur rastet e personave problematikë dhe me çrregullime të personalitetit, për shkak të përdorimit të substancave, të cilët në momente të caktuara shfaqin sjellje agresive e rrezik për qytetarët, e madje edhe për familjarët e tyre./Panorama/a.m.