Ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në sektorin elektroenergjitik dhe përafrimit të legjislacionit me atë të komunitetit evropian janë shoqëruar me rezistencë nga një grup prodhuesish të energjisë elektrike. Nga 85 shoqëri që zotërojnë hidrocentrale private, 62 prej tyre kanë pranuar që të nënshkruajnë kontratat e reja pas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë. Përmes këtyre kontratave, këta prodhues privat ndryshe nga sa ndodhte deri më tani, energjinë e prodhuar nuk e shesin tek Korporata Elektroenergjitike por tek Operatori i Sistemit të Shpërndarjes OSHEE.
Burime për Lexo.al mësohet se një grup i vogël prej 23 shoqërish pronarë hidrocentralesh, të njohur në disa raste edhe për afrimitetin me opozitën kanë vendosur ti bëjnë barikadë reformës ligjore në sektorin elektroenergjitik ndryshe nga pjesa dërrmuese e shoqërive që kanë pranuar kontratat e reja dhe po vazhdojnë normalisht marrëdhënien tanimë nga KESH tek OSHEE.
Qeveria ka deklaruar se në termat ligjore, kontratat mbeten të njëjtat pasi asgjë nuk cënohet në raport me të drejtat e fituara prej këtyre kontratave. Por përkundër kësaj, burimet thonë se në fshehtësi, pa transparencë dhe në një formë mjaft të dyshimtë shoqata e prodhuesve të energjisë AREA ka përgatitur një padi drejtuar Gjykatës Administrative për të bllokuar qeverinë.
Veprimet e kryera me urgjencë në mesin e Gushtit, larg vëmendjes së medias dhe opinionit publik krijojnë dyshimet se tanimë gjithçka është e kurdisur dhe bllokimi përmes vendimit të gjykatës do të jetë një formalitet. Seanca e cila do të zhvillohet nesër, është përcaktuar rrufeshëm dhe pa transparencë publike ndërsa mësohet se gjyqtari i përzgjedhur për këtë çështje është Bari Shyti.
Kjo seancë merr një vlerë të rëndësishme pasi nuk është hera e parë që grupime të caktuara biznesi kanë rezistuar vendimeve të qeverisë duke lobuar edhe në mënyrë jo transparente pranë gjyqtarëve për të marrë vendime bllokuese që në shumicën e rasteve cënojnë interesat e shtetit. Një precent i tillë i rrezikshëm ka ndodhur pak kohë më parë edhe me bllokimin e vendimeve të qeverisë për zgjidhjen e çështjes së zgjerimeve të paligjshme në miniera.
Në këtë situatë, duke qenë se ekziston dyshimi i arsyeshëm, strukturat e krimit ekonomik janë instruktuar që të hetojnë dhe survejojnë çdo akt të mundshëm me prapavija korruptive.