Avionët luftarakë rusë Su-34 u ngritën dje nga një bazë ajrore në Iran dhe kryen bombardime kundër grupit Shtetit Islamik (ISIS) në rajonin e Deir el-Zour të Sirisë, deklaroi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Megjithatë, kryetari i parlamentit të Iranit, Ali Larijani, mohoi se avionët luftarakë rusë kanë përdorur territorin iranian për të nisur sulme të tilla.
“Ne nuk kemi vënë asnjë bazë ajrore në dispozicion të Rusisë apo ndonjë vendi tjetër”, u shpreh Larijani në parlament, cituar nga agjencia iraniane e lajmeve “IRNA”.
Megjithatë, ai shtoi se Rusia është një aleat i rëndësishëm si dhe ka bashkëpunuar ngushtë me Iranin në lidhje me konfliktin në Siri.
“Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi i së mërkurës goditi dy pika komande të Shtetit Islamik si dhe kampe të mëdha trajnimi, duke eliminimuar më shumë se 150 militantë”, sipas njoftimit të agjencisë zyrtare ruse të lajmeve, TASS.
Të martën, aeroplanët luftarakë rusë kanë përdorur për herë të parë bazën ajrore iraniane për veprime ushtarake në Siri, raporton TASS.
Baza ajrore, në rajonin perëndimor të Iranit, Hamadanit është shumë më afër shënjestrave të Shtetit Islamik sesa baza ajrore e Khmeimim, në bregdetin verior të Sirisë. /r.a