Jahmir Hyka është i lumtur që më në fund do të mund të kthehet të japë kontributin e tij për kombëtaren shqiptare të futbollit. De Biazi e cilësoi një ditë më parë si risinë e listës për ndeshjen e shtatorit me Maqedoninë dhe vetë futbollisti ka treguar emocionet e tij për këtë kthim pas dy vitesh mungesë.
“Normalisht jam ndier i lumtur për fjalët e trajnerit sepse u bë një kohë e gjatë që po luaj rregullisht dhe kam bërë ndeshje të mira me klubin. Mund të them që e kam pritur një ftesë, megjithëse ka vonuar pak por tani jam i lumtur për këtë gjë, megjithëse nuk mund të konfirmoj asgjë pasi ende nuk ka ardhur një ftesë zyrtare kështu që na duhet të presim pak”, tha ai për “SuperSport”.
Lojtari është i bindur se ka çfarë t’i ofrojë ekipit kombëtar, ndonëse shumëkush e kishte cilësuar mesfushorin si një pjesë e të kaluarës së kuqezinjve. Por edhe ai është gati të përfshihet në frymën që ka sjellë De Biazi në ekip, ku grupi është më i rëndësishëm se individi.
“Asnjëherë nuk i kam humbur shpresat për rikthimin në Kombëtare dhe këtë e kam treguar edhe në kampionatin e kaluar dhe tani me Lucernën duke ulur kokën dhe punuar duke pritur shansin që shpresoj të vijë në këtë moment. Normalisht që nuk mund të them që unë i vetëm mund të bëj ndryshimin e madh në Kombëtare, por besoj se çdo lojtar është i rëndësishëm dhe besoj se me cilësitë e mia mund ta ndihmoj skuadrën.
“A do jap maksimumin? Kjo nuk diskutohet sepse si çdo lojtar dhe unë kam një ndjesi të veçantë kur luaj me Kombëtaren dhe nëse me jepet mundësia të luaj nuk e diskutoj që jo 100% por 120% do të jap për Kombëtaren”, tregoi ai.
Në fund, mesfushori pranoi se kishte pasur oferta të ndryshme, por për momentin mbetej një lojtar i Luzernës. “Po, ka pasur interesime të shumta nga Turqia, dhe këtë e bën më interesante padyshim edhe ana ekonomike që të bën të mendosh, por kjo nuk varet nga mua sepse unë kam kontratë me Luzernën dhe janë ata që vendosin, dhe për momentin çdo gjë ka mbetur pezull dhe nuk ka zhvillime të reja”.