Cila është çmenduria më e madhe, Paul Pogba apo Mino Raiola? Francezi u shit për 105 milionë euro nga Juventus te Manchester United, më i shtrenjti në historinë e futbollit, me një shifër që shkaktoi emocione kontradiktore për shumë njerëz. E megjithatë, brenda diskutimit të përjetshëm nëse “vlen aq apo jo”, të gjithë janë dakord që shifrat për futbollistët po shkojnë drejt çmendurisë. Por, jo aq sa ato të disa menaxherëve, sidomos kur në mes është Raiola.
Këtë verë, menaxheri nga zona e Napolit e që jeton në Haarlem të Holandës, ka fituar me lopatë. Me shitjen e Pogba, Zlatan Ibrahimovic e Henrikh Mkhitaryan, plus lojtarët e tjerë të përfaëqsuar prej tij, Raiola ka fituar 50 mlionë euro, një shifër monstruoze për një menaxher, por edhe më tepër nga sa kanë inkasuar Milan e Inter bashkë në merkato.
Në prill, revista Forbes e cilësonte si menaxherin e pestë më të fuqishëm në botë, pas Mendes, Barnett, Struth e Otin, të aftë për të faturuar rreth 30 milionë në vit. Tani duhet të bëjë nga e para llogaritë. Sepse në tre muajt e fundit ka qarkulluar 500 milionë euro, përmes transferimeve, komisioneve e pagave. Këtë verë, “Mbreti Mino” arriti të merrte edhe kalanë e fundit, Manchester United, ku nuk kishte mundur kurrë të hynte gjatë sundimit të Alex Ferguson. Te United transferoi Pogba, Ibra (kosto zero) e Mikhi dhe u mbulua në ar.
Nga operacion Pogba, Raiola fitoi 25 milionë nga Juventus (përqindja për të cilën kishin rënë dakord për shitjen e lojtarit), plus dhjetë milionë të tjera nga United, ku përfshihet një bonus edhe për Ibrahimoviç. Tetë milionë të tjerë po nga United për blerjen e Mkhitaryan nga Borussia Dortmund. E pakta edhe 6-7 milionë të tjerë i faturon nga komisionet mbi pagën e klientëve të tij, që lëkunden midis 5 e 7 përqind të pagës neto. Të tre kanë firmosur kontrata marramendëse te United, pa harruar edhe Van Der Wiel i transferuar me parametra zero te Fenerbahce.
Por, vera nuk ka mbaruar, ashtu si dhe puna e Raiolës. Në lojë tani është rinovimi i portierit Donnarumma me Milanin, e ardhmja e Matuidi (që i pëlqen Juventusit) dhe trasferimi i Lukakut. Me këtë të fundit mund të sigurojë sërish një thesar më vete. Everton nuk ka ndërmend ta shesë për më pak se 80 milionë euro sulmuesin belg, të cilin e kërkon Chelsea.
I ka mbetur edhe një mision i pamundur, të gjejë një skuadër të re për Mario Balotellin.
E ndërkaq, Mino i bën një dhuratë vetes: Një vilë me tetë dhoma, gjashtë banjo e 3 mijë milje katror në Majami, e cila dikur i përkiste gangsterit Al Capone.
Raiola ka lidhje gjaku me familjen Capone. Nëna e bosit të Mafias ishte nga fisi Raiola, edhe ajo me origjinë nga Angri, si Mino.
Vilën e bleu për tetë milionë euro. Pare xhepi për të pas një vere të tillë…
Gds/d.i.