Ishte një ditë si kjo, 200 vjet më parë, në vitin 1815, e cila shënoi fatin e Napoleon Bonapartit dhe të gjithë Europës së asaj kohe. Beteja e famshme e Vaterlosë, që e mori emrin nga vendi ku u zhvillua në Belgjikë, vuri përballë perandorin e Francës, me një ushtri të përzier me britanikë dhe prusianë, dy herë më e madhe se ushtria franceze.
Do të jetë një javë evenimentesh në Belgjikë, në fermën e Hougoumont, vendi ku ndodhi beteja. Një ushtri e tërë figurantësh, më shumë se 5000 të tillë, 300 kuaj dhe 100 topa të epokës, do të përbëjnë inskenimin më të madh të betejës së Vaterlosë që është parë në Europë. Një spektakël gjigand, i cili do të sjellë para syve të botës së sotme, njërën nga betejat më të mëdha të historisë moderne, e cila vulosi fatin e kontinentit të vjetër, duke zbritur nga froni Francën, fuqia më e madhe e kohës dhe duke shënuar rënien e Napoleon Bonapartit, njërës prej figurave më të mëdha të historisë së njerëzimit.