I jep fund jetës një 17 vjeçare nga qyteti i Elbasanit. Ajo është gjetur e vetëvarur nga familjarët e saj, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë depresioni.
Policia e Elbasanit njoftoi se ngjarja ka ndodhur më datë 14.08.2016, në Lagjen “Dyli Haxhire”; adoleshentja A.B. është gjetur në papafingon e banesës së saj.
Gjatë këqyrjes së trupit të viktimës nuk u konstatuan shenja dhune. Policia kreu veprimet në vendin e ngjarjes dhe po punon për shkaqet e vetëvrasjes.
Kanë qenë prindërit e saj ata të cilët kanë parë mungesën e vajzës në banesë dhe më pas e kanë gjetur atë të vetëvarur.
Edhe pse menjëherë ka mbërritur ambulanca, mjekët nuk kanë mundur dot ta shpëtojnë adoleshenten, pasi e kanë gjetur të vdekur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.