Mjedisorët tregojnë kërkesat e tyre. EcoAlbania dhe shoqatat e tjera s’janë kundër shfrytëzimit të lumenjve për hidroenergjetikë. Në fund të fundit është një pasuri që ne e kemi edhe për këtë qëllim themi se duhet shfrytëzuar në masën e duhur…
Nga Prof. A. Miho, Kryetar i Qendrës EcoAlbania*
…Si nismëtarë dhe mbështetës të kësaj fushate në Shqipëri, ndjehemi shumë të kënaqur që një pjesë nga lugina e Vjosës mundi të kalojë nga Qendra e Kryeqytetit, qoftë edhe për pak orë. Kemi bindjen dhe shpresën se kjo do të mund të ndikojë më nga afër tek vendimmarrësit, por jo vetëm … do të nxitë më tej edhe të gjitha palët e interesuara për të ndaluar dhe hequr dorë nga ndërtimi i digave mbi lumin Vjosë, si dhe për të hequr dorë nga betonimi, nga tunelimi dhe dëmtimi mjedisor që po bëhet sot mbi gjithë degët e tij. Vendimmarrësit dhe Qeveria kanë përgjegjësinë të kujdesen për vendin dhe janë ata që vendosin për drejtimin e tij. Para se të themi që duam një park kombëtar lumor për Vjosën, Qeveria në qendër dhe ajo vendore duhet ta kuptojnë rëndësinë e kësaj nisme. Në gjithë veprimtaritë ne u përpoqëm të shpjegojmë se si e shohim këtë nismë. Pra, lugina e Vjosës është e rëndësishme, por edhe Vendimmarrësit dhe Qeveria janë shumë të rëndësishëm në këtë proces zhvillimi.
Zemra Blu e Evropës
Lumenjtë e Ballkanit konsiderohen sot si Zemra Blu e Evropës, për gjendjen e tyre natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e gjithë kontinentit Evropian, për larminë e habitateve dhe biodiversitetin. Shqetësimi qëndron në rrezikun që i kërcënon nga ndërtimi i mbi 2000 digave, epidemi e përhapur gjerë në gjithë Ballkanin, që sot konsiderohet duket mjaft e nxituar, e mbështetur më shumë në interesa të çastit dhe aspak miqësor me mjedisin. Këtu mbështetet nisma e gjithë mjedisorëve ndërkombëtarë, p.sh. Euronatur, RiverWatch, WWF etj., që u kundërvihet drejtpërdrejt projekteve të ndërtimit të digave. Kjo synon t’i bëjë lumenjtë e Ballkanit ‘të famshëm’ në nivel ndërkombëtar; të vendosë një bashkëveprim sinergjik, duke e mbajtur çështjen ‘në zjarr’ për BE-në; të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për këto thesare të Ballkanit, duke mbështetur edhe nismat në nivel kombëtar. Për t’iu kundërvënë ‘vizionit të digave’ prej tyre po përpunohet një vizion pozitiv, i cili ka të bëjë me shpalljen e zonave të mbrojtura, si Parqe Kombëtare, Rezervë Biosfere etj.
Sipas ekspertëve në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor ka mbi 34’000 kilometra rrjedhash lumore, ku rreth 3100 km i përkasin Shqipërisë (afërsisht 9%); rreth 1/3 e tyre është në gjendje gati natyrore, thuajse të paprekur. Kurse në disa vende si Shqipëria gati 70% e lumenjve janë në këtë gjendje. Për këtë lumenjtë e Ballkanit përbëjnë ‘pika të nxehta’ biodiversiteti, me rëndësi jetike jo vetëm për secilin vend përkatës në rajon, por për gjithë Evropën. Lumenjtë e Ballkanit strehojnë afërsisht 30% të llojeve të peshqve të kërcënuar dhe mbi 50% të llojeve të molusqeve të kërcënuar për ujërat e ëmbla të Evropës. Mbi 70% e këtyre llojeve janë shumë të ndjeshëm ndër të tjera nga ndërtimi i digave dhe shfrytëzimi i lumenjve për hidroenergjetikë. Ekspertët theksojnë me forcë se rreth 90% e HEC-eve të planifikuar për ndërtim kërcënojnë deri në shkatërrim vlerat ekologjike të lumenjve të Ballkanit; mbi 30% prej tyre janë planifikuar brenda Parqeve Kombëtare dhe zonave të tjera të mbrojtura, si në Vjosë, Lurë ose Shebenik (në Shqipëri), në Parkun Kombëtar të Mavrovës (Maqedoni), apo përgjatë lumit Sava (në Kroaci dhe Slloveni).
Lumenjtë shqiptarë – gjendja dhe kërcënimet
Shqipëria është e pasur me lumenj pak a shumë të paprekur, disa prej të cilëve mjaft të rrallë për Evropën. Nga vlerësimet e bëra nga specialistët gjendja natyrore dhe vlerat e biodiversitetit të lumenjve shqiptarë mendohet të jenë ndër më të lartat në Ballkan. Rreth 2200 km rrjedhje lumore (mbi 70%) në vend kanë shkallë të lartë ruajtje, gati të paprekura, duke përfaqësuar zona ligatinore apo delta të rëndësishme; edhe pjesa tjetër e lumenjve rreth 520 km (afërsisht 20%) mbetet përsëri me gjendje ruajtje të lartë, pak apo mesatarisht e prekur.
Pavarësisht nga kjo gjendje e mirë natyrore në dukje e lumenjve mund të pohohet se ndikimi i njeriut nuk duket se ka qenë i pakët dhe miqësor në vite; por kjo trysni është shtuar dukshëm në 10 vitet e fundit në fushatën hidroenergjetike të shtrirë në çdo skaj të vendit, me ndërtim digash, kanalesh apo tunelesh devijuese. Në Shqipëri janë sot në funksion rreth 100 HEC-e, prodhimi i të cilëve për periudhën 2000-2013 ka mbuluar mesatarisht rreth 70% të konsumit vjetor të gjithë vendit (INSTAT), me luhatje nga rreth 50% në 2007 deri në rreth 90% në 2010. Ndërkohë janë në pritje për t’u ndërtuar mbi 430 HEC-e, ku mbi 290 leje janë dhënë tashmë (2007-2013), të përhapura gjeografikisht në gjithë vendin, ku mbi 80 prej tyre prekin zona lumore me shkallë shumë të lartë ruajtje.
Vjosa – lumë i egër në Evropë nën kërcënim
Vjosa është ndër lumenjtë e rrallë të Evropës që është i pa ndërprerë me diga nga burimi e deri në grykëderdhje në det. Për këtë, me të drejtë konsiderohet lumë i egër dhe sot kërkohet të mbrohet si i tillë, të mos ndërpritet nga digat dhe të shoqërohet zhvillimi ndryshe me masa mbrojtëse dhe ripërtëritëse, duke e shpallur Park Kombëtar lumor. Këto janë objektivat e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, të cilat kanë gjetur mbështetje edhe nga organizma joqeveritare vendore nën drejtimin e Qendrës EcoAlbania, por dhe të pushtetit vendor, medias vendase dhe ndërkombëtare, por dhe të shumë miqve të tjerë për mjedisin në vend dhe në rajon.
Sipas një studimi të përfunduar në vitin 1990 për vlerësimin e potencialit hidroenergjitik, mbi lumin Vjosë përcaktohen 8 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 500 MË, ndërsa energjia elektrike e prodhuar vlerësohet në 2.2 TWh. Pra në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim deri në 8 diga gjatë gjithë rrjedhës së lumit nga Mifoli deri në Përmet. Diga e Kalivaçit është e para që ka filluar të ndërtohet (qysh në 2007); në dy vitet e fundit, punimet në kantierin e digës janë ndërprerë (në nivelin 30%), dhe sot rrjedha e Vjosës është ende e lirë – por edhe për sa kohë? Kjo digë do të ndalojë e para rrahjet e zemrës blu të gjithë ekosistemit, duke ndërprerë korridorin e lirë ujor nga malet Pindos deri në Detin Adriatik. Për më tepër, në degët lumore anësore e të Vjosës janë dhënë leje ndërtimi për 31 HEC-e. Të gjithë këta nuk janë aspak miqësorë me ruajtjen e mjedisit; sa për zhvillimin ekonomik- shoqëror të rajonit e themi me bindje se më shumë i dëmtojnë pamjen, vlerat natyrore dhe për rrjedhojë zhvillimin e turizmit; edhe përfitimet prej tyre janë mjaft modeste krahasuar me dëmin që shkaktojnë.
Sëmundja e lumenjve duket se nuk ka kursyer as fqinjin tonë në BE, Greqinë, që pavarësisht se pjesën e sipërme të Vjosës e ka shpallur herët zonë të mbrojtur (Vikos–Aoös National Park), ka miratuar zbatimin e një plani menaxhues me qëllim devijimin e rreth 70 milionë m3/vit nga Vjosa drejt lumit Kalamas për vaditje; nuk jemi në dijeni në se për këtë ka pasur ndonjë marrëveshje mirëkuptimi me Shqipërinë, në përputhje me aktet normative për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare (Konventën e Ujërave).
Ndërtimi i gjithë HEC-eve në plan si dhe shfrytëzimi për inerte me siguri do të ketë ndikim të madh në gjithë vazhdimësinë e rrjedhjes me pasojë në pakësimin e popullatave të peshqve dhe të shpendëve ujorë gjatë gjithë pellgut, më e theksuar kjo në deltën e Vjosës, në lagunën e Nartës dhe gjithë zonën kënetore rrethuese në të dy anët e saj. Një dukuri e ngjashme e gërryerjes së bregut është sot e pranishme qartë në deltën e lumit Bunë në Velipojë, e nxitur kjo nga ndërtimi i digave mbi lumin Drin; p.sh. ishulli i bukur i Franc Jozefit sot nuk ekziston më. Gadishulli i Kunes në Shëngjin është duke u gërryer fuqishëm dhe mjaft i ndryshuar nga gjendja natyrore e pak dhjetëvjeçarëve më parë; po në këtë mënyrë po gërryhet plazhi në deltën e Erzenit në zonën e Rrushkullit; etj.!
Gjella me kripë dhe kripa me karar!
Në politikat e zhvillimit të një vendi ka më shumë se kudo vend kjo thënie popullore. Me këto mendime dhe konstatime, dëshiroj të (mirë)kuptohem me gjithë ata vendimmarrës, me gjithë ata që kanë firmosur lejet mjedisore, me gjithë ata që kanë tani në dorë lejet e prodhimit apo të ndërtimit të HEC-eve, dhe me të gjithë ata politikëbërës, që duan zhvillim të shpejtë të vendit; për këtë dua të theksoj se EcoAlbania, apo gjithë të tjerët që mendojnë si ne, nuk jemi kundër shfrytëzimit të lumenjve për hidroenergjetikë. E kanë bërë këtë të tjerët rreth nesh, dhe ne e kemi bërë, dhe mund ta shtrijmë edhe më tej për zhvillimin tonë; në fund të fundit është një pasuri që ne e kemi edhe për këtë qëllim. Ajo që nuk shkon dhe nxit zemërimin është fakti se ne shpesh në dëshirën për t’u zhvilluar ngutemi shumë deri ku nuk mban më (!), pa marrë parasysh ligjësitë e natyrës, por dhe kërkesat e tjera, rrugët ndryshe; shkurt shpesh kapërcejmë cakun, nuk vetëpërmbahemi te kripa! Kjo në shumë drejtim të rëndësishme të vendit, në pyje, në zhvillimin urban, në hidroenergjetikë etj. Kjo bën shpesh që kjo ngutje të na kthehet mbrapsht me kosto, madje mjaft rëndë dhe e pariparueshme. Shpesh dëgjojmë të thuhet se hidroenergjia është ripërtëritëse; po e tillë është të nderuar miq, energji që ripërtërihet! Por jo gjithmonë është energji e blertë dhe e pastër! E shtrirë në çdo skaj nuk është pa pasoja në mjedis, kur bëhet fjalë për kafshim të natyrës në pikat më të brishta të saj, më të virgjëra, më me vlera natyrore, biologjike, turistike të saj. Njëlloj si nuk është aspak e mençur dhe e qëndrueshme urbanizimi i skajshëm i gjithë hapësirës së brishtë bregdetare, i pushtimit të tokës së bukës, dhe mbi gjithë të tjerat rrafshimi pa asnjë kriter i gjithë pyjeve të vendit.
Varfëria jonë dhe etja për zhvillim të shpejtë apo edhe për pasurim në çast nuk duhet të na bëjë të mbyllim sytë ndaj vlerave të natyrës sonë. Madje mund të pohoj se ne i kemi ruajtur ato edhe kur kemi qenë shumë më të varfër se sot. Janë pikërisht, vlerat e natyrës sonë, vlerat e rralla të florës dhe faunës, lumenjtë me ujëra të pastër, pikërisht kjo Zemër Blu që bashkë edhe me vlerat e tjera të ruajtura të lashtësisë, historisë, kulturës, folklorit etj. që na bëjnë të veçantë si vend; janë këto së bashku që do të ndihmojnë të zëmë një vend të dëshiruar në familjen evropiane, të denjë, ashtu si me të vërtetë e meritojmë; dhe për këtë nuk është asnjëherë vonë dhe as pa shpresë të mbrojmë dhe ripërtërijmë gjendjen, vetëm bashkim forcash, gërshetim interesash dhe … shumë mençuri …
*Profesor në Departamentin e Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Tel.: 068.2707208; e-mail: mi*******@ya***.com; al********@fs**.al