E gjithë administrata e kompanisë private, që përpunon plehrat në landfillin e Sharrës, duket se është vënë në lëvizje për të mohuar faktin se Ardit Gjoklaj, i vrarë më 7 gusht, ishte i punësuar aty.
Katër personat e arrestuar pas ngjarjes së rëndë thanë që në kontaktin e parë me hetuesit se nuk e njihnin viktimën që u gjet i vdekur në pirgun e plehrave, duke aluduar se kufoma mund të jetë hedhur aty nga kamionët e ardhur nga Tirana.
Edhe shtetasi Bujar Daja, ekonomist i firmës “3R”, me administrator shtetasin Edurim Teqja, aktualisht në kërkim, dhe punëtorët e shoqërisë kanë thënë se nuk e dinë që Ardit Gjoklaj është punonjës i firmës “3R” sh.p.k.
Dëshmitë kontradiktore të punonjësve të firmës, përveçse një vajzë që ka punuar natën e krimit me Arditin 17-vjeçar, kundërshtohen edhe nga roja që ka bërë shërbim natën e krimit te porta hyrëse për në landfill.
Ai është pyetur nga Prokuroria dhe ka thënë se Ardit Gjoklaj, 17 vjeç, ka hyrë rregullisht në landfill, pasi është lejuar të kalojë te porta, duke qenë se kishte një muaj që ishte punësuar aty, ndonëse pa dokumente.
Roja ka shtuar se përfaqësues të kompanisë “3R” i kishin kërkuar që të mos pengonte hyrje-daljet e 17-vjeçarit, pasi ai ishte punësuar aty. Përveç rrethimit, landfilli ka roje në portën hyrëse me shërbim 24 orë, ndërsa dëshmitari i Prokurorisë është punonjësi që ka qenë në shërbim natën mes 6-7 gushtit, kur ndodhi vrasja e të riut.
Sipas Prokurorisë, punonjësit kanë qenë të padeklaruar e të pasiguruar, pasi edhe përgjegjësi i firmës, i caktuar nga pronari në kërkim, nuk ishte i regjistruar, ashtu sikurse viktima, raporton “Panorama”.
PËRGJEGJËSI “INFORMAL”
Besnik Braha, sipas Prokurorisë, ka qenë përgjegjës i caktuar nga pronari i firmës “3R” sh.p.k, Edurim Teqja, për mbarëvajtjen e punëve në landfill. Ai nuk ka qenë i regjistruar. “Besnik Braha deklaroi se kishte shkuar te landfilli rreth orës 10:00, ku ka dërguar naftë për të furnizuar mjetet (fadromë, traktor pirun dhe dy kamionë).
Më pas është larguar dhe rreth orës 12:30 dhe ka marrë në telefon Eltjon Metën, që ishte përgjegjës për turnin e parë, i cili i ka thënë se te plehrat dukej një kufomë, ndërsa Besniku i ka thënë që të njoftonte Policinë. Kur ka ardhur vetë, rreth orës 15:00, ka gjetur në vendngjarje Policinë”, bën me dije Prokuroria.
Sipas saj, nga ana tjetër, ky shtetas është drejtues teknik te policia private “Ilira Gjeo Teknologji”, me pronar shtetasin Myftar Kasa, i cili është kunati i shtetasit Edurim Teqja.
Siç deklaron shtetasi Astrit Shehu, përgjegjës i turnit të dytë në landfill, ai njeh si drejtues shtetasin Besnik Braha në landfillin e Sharrës, ndërsa nuk kishte dijeni që shtetasi Ardit Gjoklaj ishte punonjës i landfillit.
“Edhe ky shtetas ka deklaruar se nuk kishte dijeni se cila ishte viktima dhe se mund të kishte ardhur nga ndonjë makinë e plehrave e turnit të natës”, thekson Prokuroria.