Michaelle Jean, që është sekretare e përgjithshme e organizatës ndërkombëtare “La Francophonie”, një mëngjes të tërë e kaloi në ngjarjen e lojërave olimpike “Rio 2016” që zhvillohej në Lagoa, ku po zhvilloheshin garat e kanotazhit.
Asaj nuk i interesonte se çfarë po ndodhte në ujë. “Mund të vëreni se komentatorët nuk po flasin gjuhën frënge”, thotë Jean e nervozuar. “Në këtë ngjarje nuk ka asnjë gjurmë franceze”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e “New York Times”.
Monitorimi i përdorimit të gjuhës franceze në Lojërat Olimpike është një punë frustruese, sidomos kur kjo ngjarje mbahet në një vend që nuk ka lidhje me Francën.
Por rregulli 23 i Kartës Olimpike bën të ditur se Lojërat Olimpike kanë dy gjuhë zyrtare: angleze dhe franceze. Kështu që, puna e organizatës ku punon Jean është që të sigurohet se gjuha frënge të përdoret në Lojërat Olimpike.
“Ka vështirësi sa herë që mbahen Lojërat Olimpike në një shtet tjetër apo qytet tjetër, pasi gjuha frënge pothuajse nuk përdoret fare”, shprehet Jean. “Por, ne duhet të jemi të pranishëm që të sigurohemi se shenjat franceze, dokumentet dhe informacionet të jenë edhe në frëngjisht. Kemi mijëra atletë dhe njerëz që vijnë nga vendet ku flitet gjuha frënge”.
Rregulli 23 nuk është aksidental. Kjo për shkak se themeluesi i Lojërave Olimpike moderne, Pierre de Coubertin, ka mundur të zgjedhë gjuhën zyrtare dhe ka vendosur për frëngjishten. (b.an)