Lajmin e publikon gazeta greke “Kathimerini”, sipas së cilës, ekipe speciale të “EUROPOL”-it me specialistë të terrorizmit islamik pritet të mbërrijnë në Greqi më 20 gusht.
Ata do të shkëmbejnë informacione me oficerë të Shërbimit grek të Antiterrorit, të atyre të sigurimit, si dhe të Shërbimit Kombëtar të Informacionit, e më pas do të fillojnë të hetojnë në të gjitha kampet e Greqisë kontinentale, ku mbahen gati 50 mijë refugjatë.
Por, sipas britanikes “The Guardian”, që iu referohet dëshmive nga organizata bamirëse dhe grupet e të drejtave të njeriut në këto kampe, fëmijë të vegjël dhe adoleshentë kanë rënë viktima të abuzimit seksual.
Rasti më flagrant është ai që ka ndodhur në një kamp me 1.400 refugjatë pranë Selanikut, ku një grup meshkujsh kanë sulmuar dhe kanë abuzuar me një vajzë shtatëvjeçare nga Iraku, raporton TCH.
Por të njëjtin makth përjetojnë edhe gratë, që nuk guxojnë të dalin nga çadrat në orët e vona, dëshmon një prej pjesëtarëve të “Mjekëve pa kufij” në Selanik, që pohon se janë mbi 10 raste të grave që kanë denoncuar sulme seksuale brenda kampeve.
Nga ana e tij, koordinatori i qeverisë për krizën e refugjatëve, Jorgos Qirici deklaron se, në kampin në fjalë ka vërtet shumë raste të sjelljeve kriminale, por mohon se ka pasur raste përdhunimi të të miturve.