Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është i bindur se konsensusi i arritur për Reformën në Drejtësi do vijojë edhe me 7 ligjet.
“Po ecim në një rrugë të re, ka mjaft tabu të rrëzuara, mjaft mure të shembura të moskomunikimit, politika e konceptuar në mënyrë krejt të ndryshme reforma në drejtësi, ndryshimet kushtetuese na imponojnë të ecim në këtë rrugë edhe për 7 ligjet, besoj se do kemi realizim konsensual dhe në kohë”, tha Vasili në emisionin “Opinion” në News 24.
Por a ka një tendosje të marrëdhënieve PS-LSI? “Marrëdhënia PS-LSI është në sytë tuaj, matet me atë çka realizohet në sallën e Kuvendit ku ka konsensus, sigurisht një motivim reciprok për të realizuar punët e shtetit të cilat i bashkërendojmë, korrektësi dhe seriozitet të cilit nuk i shmangemi. Kjo ndërton edhe qëndrimin tonë në koalicion, Sa i takon thashethemeve tendosje, apo ç’tendosje këto nuk janë punët tona”,- vijoi ai.
Vasili u shpreh ndër të tjera se shumë punë i presin dy forcat opozitare deri në zgjedhjet e ardhshme. “Ne jemi përpara fillimit të sesionit parlamentar, do miratojmë ligjin e buxhetit, kemi ende shumë punë për të bërë, kemi detyra të mëdha para, pastaj kemi kohë për taktikat elektorale. Kemi edhe implementimin e reformës në drejtësi. Na pret një punë e madhe dhe me përgjegjësi të lartë”,- shtoi ai i pyetur nëse LSI shkon bashkë me PS në zgjedhjet parlamentare.
Duke komentuar akuzat e opozitës për shkelje të ligjit të vetingut nga kryeministri Rama në rastin e një gjyqtari të përzgjedhur për në Strasburg, Vasili tha se asnjë gjyqtar nuk mund t’i shmanget vettingut. “Kjo është çështje interpretimi. Rëndësi ka që në Strasburg Shqipëria të shkojë me figura serioze që kanë bërë vetting profesional dhe shoqëror. Mendoj se do ecim në rrugën e kandidaturave serioze. Me siguri çdo gjyqtar do i nënshtrohet vettingu. Ky është procesi më i rëndësishëm të plotësojë edhe vakancën në Strasburg”.