Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet analizës së riskut, ka seleksionuar 41 sektorë me potenciale të larta për evazion fiskal. Ja skema se si do të kontrollohen dhe si u arkëtuan 8 milionë euro nga kontrolli në vetëm 8 subjekte.
Sektorët me riskun më të lartë në mospagimin e taksave janë tregtia me shumicë dhe pakicë të mallrave, shërbimet profesionale të biznesit, sektori i ndërtimit, hotelet dhe restorantet. Drejtoria e Riskut në Tatime ka bërë një plan strategjik se si do të zhvillohen kontrollet me bazë risku këtë vit.
Rreth 18% e bizneseve e tregtisë me pakicë thyejnë ligjshmërinë fiskale dhe pagesën e taksave, duke e renditur atë në krye të sektorëve më të lartë në riskun e pajtueshmërisë ligjore dhe pagesës së taksave
Gjithashtu, nga analiza e riskut, është evidentuar se 16.6% e bizneseve të sektorit të tregtisë me shumicë shmangin taksat. Kjo normë shmangie te shërbimet profesionale të biznesit është mbi 10% dhe te sektori i ndërtimit është mbi 9%.
Në planin e punës për 2016-n, Drejtoria e Riskut në DPT shpjegon se sektorët e lartpërmendur do të jenë në fokusin e kontrolleve për këtë vit. Analiza e riskut ka seleksionuar 41 sektorë me potenciale të lartë të evazionit fiskal.
Ekspertët e riskut në tatimeve kanë shpjeguar se, analiza e përgjithshme mbi shpërndarjen e riskut në rajonet tatimore dhe në sektorët ekonomikë prioritarë hartohen duke u mbështetur në rezultatet e gjeneruara nga kriteret e riskut, për numrin e tyre të thyer, si dhe tatimin e rrezikuar të llogaritur nga të gjitha kriteret, për secilin tatimpagues.
Për çdo kategori të tatimpaguesve janë përgatitur njoftime specifike sensibilizuese dhe informuese, në varësi të problematikës së tatimpaguesit.
Drejtoria e Analizës së Riskut ka përpunuar dhe seleksionuar 10 lista me tatimpagues të identifikuar me risk të lartë për fenomene specifike.
Skema e kontrolleve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka formuluar një skemë grafike ku jepen detaje se si do të funksionojnë kontrollet me bazë risku.
Si hap i parë përcaktohen listat e përzgjedhura nga risku.
Më pas, për çdo kategori të tatimpaguesve, janë përgatitur njoftime specifike sensibilizuese dhe informuese, në varësi të problematikës së tatimpaguesit.
Pas përcaktimit të listave, krijohet grupi i punës, nga Drejtoria e Riskut. Grupi i punës u dërgon njoftim subjekteve për paraqitje në Drejtorinë e Riskut. Subjekti paraqitet dhe informohet për situatën.
Më pas ndryshohet përgjegjësia tatimore dhe bëhet vlerësim i situatës sipas rastit. Nëse palët (tatime dhe subjekt) nuk bien dakord nis verifikimi fizik dhe vlerësimi i situatës. Më tej, saktësohen përgjegjësitë tatimore.
Si u arkëtuan 8 mln euro në 8 biznese
Zhvendosja e aksionit antiinformalitet nga bizneset e vogla në kontrollin e subjekteve të mëdha, sipas modulit të riskut, duket se po rezulton më efikas në rendimentin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore.
Rezultatet e vërteta duket se po vijnë nga kontrollet mbi tatimpaguesit e TVSH-së dhe shembujt konkretë për rritjen e rendimentit fiskal në kategori i ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Zyra e taksave regjistroi një të ardhur 1.1 miliardë lekë e barasvlefshme me 8 milionë euro, në vetëm 8 raste nga 15 kontrolle të ushtruara, tregon FMN në analizën e fundit që i ka bërë ecurisë së marrëveshjes me Shqipërinë. Ndërsa nga verifikimi i kryer mbi 1358 tatimpagues të TVSH-së në mars 2016 ka dhënë një shtesë prej 2,9 miliardë lekësh në të ardhura.
Rajoni i Tiranës spikati, ku hulumtimi i 651 rasteve në bizneset e TVSH-së rriti me 1,5 miliardë lekë rezultatet e të ardhurave. Këto kontrolle janë bërë në segmente të biznesit me risk të lartë, duke u përqendruar në metodat moderne të menaxhimit të rrezikut, vëren FMN.
Fondi këshillon që fushata kundër informalitetit duhet të shoqërohet me një monitorim të fuqishëm të performancës, duke u fokusuar në një numër relativisht të vogël të treguesve kyç.
Për sa i përket politikës së taksave, autoritetet duhet të lehtësojnë sistemin e taksave, në mënyrë që të reduktojnë kostot administrative të biznesit. Sondazhet tregojnë se shpenzime të tilla janë relativisht të larta.
FMN sugjeron se, fushata antiinformalitet duhet të përqendrohet më shumë në rezultate afatgjata, duke përdorur ekspertizë dhe profile të reja të rrezikut nga njësitë e përbashkëta të riskut tatimor dhe doganor. Masat e ndërmarra kundër informalitetit kanë ndikuar në drejtim të rritjes së regjistrimit të bizneseve.
Pse kontroll me risk
Administrata tatimore e konsideron Menaxhimin e Riskut të Pajtueshmërisë si pjesë përbërëse dhe integrale të zhvillimit të kulturës fiskale në tërësi, kjo veçanërisht duke marrë në konsideratë një mjedis ekonomik dinamik, i cili kërkon paralelisht me zhvillimin ekonomik edhe përmbushjen e pritshmërive prej tatimpaguesve karshi legjislacionit fiskal.
Menaxhimi i riskut synon arritjen e një stadi të administratës tatimore, që synon mbledhjen e të ardhurave tatimore përmes procedurave të thjeshta dhe me kosto minimale, duke zbatuar njëtrajtësisht legjislacionin tatimor, për financimin e buxhetit të shtetit shqiptar.
Kjo metodë kontrolli ka në fokus të qenët partnerë profesionistë me tatimpaguesin. Për t’i shërbyer këtij qëllimi, administrata tatimore ka bërë gati një plan vjetor për kontrollet.
Në praktikë, ky proces do të implementohet nëpërmjet programeve të pajtueshmërisë që shfrytëzojnë mjetet e ndryshme që janë në dispozicion të administratës tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve menaxhon rreziqet e pajtueshmërisë ligjore gjatë ciklit të jetës së tatimpaguesit. Për ta mundësuar këtë shtrohet nevoja që risku të jetë transparent, si dhe të kuptohet më mirë. Kjo metodë nuk përqendrohet te tatimpagues të veçantë, por e shtrin fokusin në një panoramë më të gjerë.
Grupe të ndryshme kanë nevoja dhe sjellje të ndryshme dhe janë të ekspozuar ndaj risqeve të ndryshme, kështu kontrollet me bazë risku fragmentojmë bazën e tatimpaguesve.
Kjo metodë synon analizën e arsyeve kryesore të papajtueshmërisë dhe jo thjesht me simptomat dhe gjithashtu përdoren varietete mjetesh për t’iu përgjigjur dhe për të zbutur riskun.
Vendimmarrjet dhe strategjitë mbi riskun mbështeten mbi të dhëna dhe analiza. “Ne kemi një strukturë të ngritur që mbështet planin e punës për menaxhimin e riskut, në nivel të brendshëm, si dhe përmes partneritetit dhe bashkëpunimit me organet e jashtme – thuhet në planin e tatimeve.
Hapat
Në tërësinë e tij, Menaxhimi i Riskut përpiqet t’i japë vlerë administrimit të fiskut duke u bazuar krahas të tjerave, paralelisht edhe në mundësinë e ndikimit në zbutjen e papajtueshmërisë nëpërmjet ndikimit në disa aspekte të komunikimit me tatimpaguesin.
Në këtë kuadër rekomandoheshin ndërhyrje në ligjet ekzistuese duke u koordinuar edhe me tatimpaguesit dhe grupet e interesit. Shërbimet elektronike duhen të jenë më aktive. Tatimet duhet të zhvillojnë një proces edukimi fiskal dhe ligjor për grupet me risk të lartë nëpërmjet kryerjes së seminareve trajnuese, publikimin e materialeve dhe ofrimin e tyre për tatimpaguesit, publikimin e broshurave dhe inkurajimin e deklarimit dhe përmbushjes vullnetare.
Konsiderimi i industrive si partnere duke ofruar shkëmbim konsulence për trajtimin e fenomeneve është një tjetër qasje e menaxhimit të riskut. Kujtesa për shlyerjen e detyrimeve, mbledhjen e borxhit, likuidimin në kohë etj., është pjesë e planit. Kontrolli i TVSH-së në rastin e kërkesave për rimbursim dhe ngritja e grupeve këshilluese të auditit sipas projekteve për sektorë ekonomikë të veçantë. Kontrollet me bazë risku kërkojnë një bashkëpunim me median për publikimin e rezultateve dhe rasteve me shkelje flagrante.
Më konkretisht, plani vjetor i menaxhimit të pajtueshmërisë konsiston në dy kategori të gjëra: E para, mbrojtja e principeve të riskut të pajtueshmërisë, si dhe qasja me aktivitetet tona të punës së përditshme. E dyta, zhvillimi i fushatave për çështje dhe industri specifike, të cilat përqendrohen në pajtueshmërinë e sjelljeve, në këto industri specifike.
Të dy kategoritë aplikojnë metodologji të ngjashme që marrin në konsideratë vlerësimin e mjedisit, gjetjet dhe çfarë ka ndryshuar. Më tej punohet për të kuptuar se cilat janë çështjet me rëndësi dhe faktorët që formësojnë atë që vëzhgohet. Më pas, nisin konsultat me stafin dhe bashkëpunëtorët se cilat janë çështjet me rëndësi për t’u trajtuar. Gjithashtu, merren në konsideratë sugjerimet e partnerëve të tatimeve, trendet makroekonomike dhe cili është qëllimi strategjik i tatimeve në këtë mes, në lidhje me rezultatet.
Synimi
Esenca e planit të tatimeve në kontrollet e riskut bazohet në reformimin që i duhet bërë legjislacionit ekzistues për të identifikuar pengesat apo avantazhet kundrejt objektivit të synuar. Më tej do të analizohen propozimet që duhen bërë, si dhe strukturimi i tyre për të qenë fleksibël, operativë dhe efektivë.
Duke u mbështetur edhe në synimin e përmbushjes së rezultateve tatimore, administrata tatimore do të ngrejë struktura dhe sisteme të fuqishme për mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave dhe informatave për shmangie ose mashtrim tatimor, në mënyrë të veçantë për risqet e lidhura me përmbushjen e detyrimeve tatimore.
E gjitha kjo kërkon hartimin dhe zbatimin e planeve në linjë me strategjinë e Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë, me synim zbutjen, e deri në eliminimin e grupeve madhore të risqeve të identifikuara, kryesisht në bazë segmentesh të tatimpaguesve.
Fokusi më 2016
Një prej pikave kyçe në prezantimin e qasjes së menaxhimit të riskut të pajtueshmërisë, sa i përket administratës tatimore, nënvizon faktin se duhet të kuptohet ambienti në çdo sektor që kryen një aktivitet korrent. Për qëllime të planit vjetor të 2016-s synojmë që do t’u jepet prioritet disa iniciativave kyçe. Për sa i përket këtij plani fokusohemi më qartë në vlerësimin korrent në nivel baze tatimore dhe aty ku është e nevojshme, në mënyrë specifike edhe në nivel sektori, për të bërë të mundur njohjen me hapat e tjerë të rrugës në pajtueshmërinë e menaxhimit të riskut.
Tatimet sqarojnë se, kjo është e realizueshme nëpërmjet koordinimit dhe bashkëveprimit të punëve dhe objektivave në nivel drejtues, taktik dhe operacional, duke qenë në linjë me synimet e organizatës, si dhe marrjen në konsideratë në çdo moment të të dhënave që orientojnë në vendimmarrje ku përfitimet afatgjata në rang kombëtar do të jenë më të mëdha se kostot afatshkurtra.
Theksi do të vihet te “Shtimi i vlerës dhe jo thjesht të fitimit”. Koordinimi i punës dhe bashkëveprimi në nivele strategjike drejtimi, taktike dhe ato operacionale do të përbëjë avantazh sa i përket trajtimit të riskut.
Menaxhimi i riskut përfshin një nivel strategjik, përgjegjës për menaxhimin e bazës së të dhënave, monitorim të ndryshimeve të ambientit të jashtëm, sa u përket ndryshimeve të cilat potencialisht mund të kenë një impakt të rëndësishëm për administratën dhe proceset e Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë. Kjo do të mundësohet duke përdorur indikatorë makroekonomikë, trende demografike, analiza të sjelljeve, analiza të shmangies tatimore, profilizime të popullatës së tatimpaguesve dhe modele risku për të zhvilluar modelet e pajtueshmërisë, si dhe për të siguruar modele kërkimi-zhvillimi që lejojnë marrjen e vendimeve në funksion të strategjisë së Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë.
Niveli taktik për menaxhimin e riskut përfshin identifikimin, analizën e zhvillimin e pyetjeve sa i takon pajtueshmërisë, veçanërisht në lidhje me regjistrimin, plotësimin, raportimin dhe pagesat. Kjo do të arrihet duke zhvilluar analizat sipas sektorëve dhe duke asistuar në riorientimin dhe dhënien prioritet risqeve kryesore të identifikuara.
Niveli operacional i menaxhimit të riskut përfshin kryerjen e punës në harmoni dhe kohezion me strategjinë e nivelit drejtues, me qëllim analizën e risqeve specifike, kuptimin e tyre, si dhe dhënien drejtim sa u takon alternativeve për zgjidhje.
Trendi i menaxhimit
Trendi i Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë nis me identifikimin e regjistrimeve fiktive, thjesht për të përfituar nga rimbursimet e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo tatimit mbi fitimin.
Më tej, si hap i dytë, është verifikimi i librave tatimorë dhe llogarive. Më pas, hartohen fletëpalosje sipas industrive specifike dhe asistohen tatimpaguesit sipas segmente të veçanta. Më pas hartohen materialet e edukimit dhe programet e trajnimit, të cilat do të përqendrohen dukshëm te sektorët me nivel të lartë papajtueshmërie me kuadrin fiskal..
Faza tjetër ka të bëjë me auditet dhe kontrollet. Kjo fazë, sipas planit të tatimeve, kërkon zhvillimin e një sistemi të aftë të prodhojë raporte që evidentojnë më lehtë shkelësit, pa pasur nevojë t’i analizosh të gjithë me radhë.
Më tej, kalohet në hapin final, ku bizneset do të duhen të paguajnë borxhet dhe detyrimet. Në këtë aspekt do të rishikohet libri i detyrimeve dhe borxheve dhe do të kërkohet se cilat janë shkaqet e mospagimit të detyrimeve apo borxheve. Do të komunikohet me tatimpaguesin dhe do të merren në konsideratë mundësitë e kompensimit automatik të detyrimeve dhe penaliteteve në të drejtat e mbartura në sistem që ka tatimpaguesi.
Për t’u siguruar për ecurinë e çështjeve që kanë kaluar për hetim, administrata tatimore sqaron se, do t’u jepet përparësi rasteve që ushtrojnë aktivitet pa qenë të regjistruar dhe do të fokusohet te evazioni fiskal, p.sh. mosdeklarimi qëllimisht i shitjeve.
Me gjithë progresin në vlerësimin e maturimit të menaxhimit të riskut, tatimet vlerësojnë se ka disa zona ku përmirësimet janë të domosdoshme. Plani vjetor i riskut, ndërtuar edhe në funksion të strategjisë, konsiston në evidentimin vazhdimisht të problematikave dhe zgjidhjen e tyre, duke vendosur bazat e duhura. Prandaj këtë vit tatimet do të merren me identifikimin e rrezikut, pasi mund të barasvlerësohet zbatimi i ligjit thjesht, me “pagimin në kohë të detyrimeve”
Tatimet synojnë të mbështesim idenë që pajtueshmëria lidhet me regjistrimin, mbajtjen e të dhënave në mënyrë të rregullt, plotësimi i saktë i deklaratave, plotësimi dhe pagesë në kohë, sipas llojit të tatimit. Për rrjedhojë, kjo kërkon një pasurim të bazës së depozitimit të të dhënave, ngritjen e një baze të depozitimit të tyre të përqendruara në informacione të brendshme, duke marrë në konsideratë edhe të dhëna nga doganat dhe palë të treta.
Synimet e menaxhimit të riskut për 2016-n
-Krijimi i regjistrit të pastër i tatimpaguesve, sa janë regjistruar, sa aktualisht janë aktivë për të ditur realisht se cila është hapësira nën monitorim.
– Përmirësimi i mënyrës së mbajtjes së regjistrimeve dhe llogarive prej tatimpaguesve për të parë, sa ka ndikuar procesi i menaxhimit dhe monitorimit të pajtueshmërisë në nivelin profesional të mënyrës së mbajtjes së kontabilitetit nga ana e subjekteve.
-Përmirësimi i saktësisë së plotësimit të deklaratave dhe i kohës së deklarimit të tyre brenda afateve të paracaktuara. Një arritje e tillë siguron pasqyrim në kohë reale dhe me më shumë vërtetësi të transaksioneve ekonomike dhe efekteve që kanë ato për fiskun.
-Përmirësimi i pagesës së detyrimeve brenda afateve të paracaktuara, pasi kjo sjell ndikim pozitiv në raportimin e të ardhurave nga administrata dhe garanci në projektimin për të ardhmen, veçanërisht si ndihmë e dikastereve që merren me rishpërndarjen e këtyre të ardhurave.
– Përmirësimi i menaxhimit të rasteve të borxhit për të lehtësuar mundësinë e pagesave nëpërmjet aplikimit të marrëveshjeve për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura sidomos në lehtësinë që u jepte bizneseve sa i takon shlyerjes së detyrimeve nëpërmjet kësteve, pa u rënduar në një pagesë të vetme totale.
– Përmirësimi i aftësisë së të kuptuarit të Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë, rezultatet, llojet dhe vlerat e zbulimeve, pasi një vlerësim sa u takon arritjeve të Menaxhimit të Riskut të Pajtueshmërisë ka të bëjë edhe me nivelin dhe llojin e zbulimeve gjatë kontrolleve/auditeve të ushtruara. Menaxhimi i Riskut të Pajtueshmërisë vlerësohet pozitivisht nëse tërësisë së problemeve të evidentuara arrihet t’u jepet drejtim dhe zgjidhje korrekte dhe në kohë reale, pa vonesa të tepërta burokratike.
– Reduktimi i barrës së të kuptuarit dhe implementimit të pajtueshmërisë. Një parametër i mirë i Menaxhimi i Riskut të Pajtueshmërisë evidentohet në faktin se sa administrata arrin të kuptojë se cilat janë nevojat e subjektit dhe krijimin e një kuadri fiskal që harmonizon nevojat e subjekteve me legjislacionin.
-Procese jo thjesht statike, por dinamike dhe të zgjuara. Elastike në procesin e vendimmarrjes, matjes dhe vlerësimit, si dhe sugjerimeve. Menaxhimi i Riskut të Pajtueshmërisë vlerësohet se arrin sukses edhe në sajë të aftësisë së këtij planifikimi në nivel strategjik dhe operacional për t’iu përgjigjur në kohë reale dhe me kosto të moderuara edhe ndryshimeve ekonomike dhe sociale./Monitor/a.m.