Një punonjëse 25-vjeçar e policisë së Sarandës u vetëvra gjatë ditës së djeshme me armën e shërbimit, me një plumb vdekjeprurës në kokë. Ishte gjyshja e saj e cila pa të pajetë në banesë Jeroldina Iljazin, pasi dëgjoi zhurmën e të shtënës.
25-vjeçarja kishte vetëm rreth 1 vit e punësuar në Policinë e Shtetit me gradën inspektore, ku sipas të dhënave ishte e angazhuar në grupin e gatshëm. Ajo u vetëvra në dhomën e saj në lagjen nr.3, Sarandë, për shkaqe ende të paqarta.
“Panorama” shkruan se paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes të ketë qenë gjendja emocionale e ngarkuar e vajzës, për shkak të pamundësisë ekonomike. Ajo ishte e vetmja që punonte në shtëpi. Nëna e saj, sipas fqinjëve, kishte probleme me depresionin në vitet e fundit, të vetmen punë që ajo arrinte të bënte ishte një peshore në cep të pallatit, ku të mund të peshoheshin kalimtarët. Kjo i sillte vetëm pak të ardhura, derisa një vit më parë e reja arriti të futej në Policinë e Shtetit. Mësohet se Jeroldina ishte rritur jetime. Babai i saj ishte arratisur drejt SHBA-së që kur ajo ishte në barkun e nënës dhe më pas nuk kishte mbajtur asnjë kontakt me familjen në Sarandë