Banorët e Hasanbegut të Shkupit po jetojnë mes baltës dhe mbeturinave që sollën vërshimet e javës së fundit. Shumë jetë u shuan e shumë shtëpi u rrafshuan për tokë. Atyre nuk po u ndihmon askush, madje as me gjëra elementare.
Varre të reja, shtëpi të shembura, kafshë të ngordhura, kundërmimi që të mbyt frymën, balta që ka mbuluar tokën dhe qëndron ende aty si vulë e një “cunami” në mes të Ballkanit, është pamja pas vërshimeve në fshatin Hasanbeg të Maqedonisë.
Me duar dhe këmbë të zhytur mes baltës që kanë lënë pas vërshimet, banorët e këtij fshati po mundohen të kthejnë normalitetin e jetesës, duke pastruar shtëpitë nga balta, pasi pak ditë më parë varrosën të afërmit që u mbytën nga vërshimet e ujit, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.
22 viktimat e kësaj katastrofe natyrore, shqiptarë e maqedonas, disa edhe kosovarë që po udhëtonin drejt shtetit perëndimor, ku jetonin pas kthimit nga pushimi në Kosovë, kanë lënë pas kujtime të hidhura te të gjallët e kësaj tragjedie, të cilët luftuan rreth tetë orë për t’i shpëtuar mbytjes, por shumë pak patën mundësi t’iu përgjigjen kërkesave për ndihmë të të tjerëve që uji i rrëmbente.
Këta banorë tani po rrezikohen nga infeksionet, e ankohen për mospërkrahje për t’u kthyer në shtëpitë e tyre prej nga ikën në mëngjesin e së dielës.
Madje, ata thonë se edhe kufomat e njerëzve i nxorën dhe i identifikuan, e po ashtu i varrosën vetë./a.m.