Zbardhen mesazhet e “gjobëvënies” 8 mijë dollarë amerikanë ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, në vitin 2013.
Mesazhet e denoncuara si kërcënuese nga ana e gjyqtarit dalin në dritë në vendimin e arsyetuar të Gjykatës për Krimet e Rënda, që fajësoi avokatin Arjan Kalaja si autor të dërgimit të tyre.
Me gjithë qëndrimin mohues të të pandehurit Kalaja, më 20 maj 2016 ai u shpall fajtor për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe u dënua me 2 vjet burg, dënim që u pezullua duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 2- vjeçare. Aktualisht, dosja ndodhet në Apelin për Krimet e Rënda, ku është ankimuar nga ana e avokatit Kalaja, ndaj vendimi ende nuk ka formën e prerë.
Vendimi i arsyetuar së fundmi, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, zbardh të gjithë historinë nga mesazhet e mbërritura në telefonin e gjyqtarit, në komunikimet e tij me të pandehurin, për shkak të njohjes së tyre të mëparshme dhe deri tek identifikimi i avokatit Kalaja si dërgues i tyre.
Sipas Gjykatës, rezultoi e provuar se numrat telefonikë, nga të cilët i janë dërguar SMS-të kërcënuese gjyqtarit, janë loguar përkohësisht në një aparat telefonik që zotërohej nga i pandehuri. Nga ana tjetër, rezultoi e provuar se i dëmtuari Thanza nuk ka pasur në shqyrtim çështje që lidhet me ndonjë pronë në Velipojë.
MESAZHI I PARË
Referuar vendimit të Gjykatës në datën 4 dhjetor 2013, në numrin celular të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, kanë mbërritur dy mesazhe. SMS-në e parë e ka marrë në orën 10:50. Mesazhi ishte nisur nga një numër i panjohur celular, +3556xxxxx537.
Në përmbajtjen e mesazhit shprehej kërkesa kërcënuese e dërguesit, i cili i kërkonte nëpërmjet SMS-së një vlerë monetare prej 8 mijë dollarësh amerikanë, që, sipas tij, pretendonte se ia kishte dhënë të dëmtuarit nëpërmjet shtetasit Arjan Kalaja disa ditë më parë.
Sipas dërguesit, paratë ishin dhënë me qëllimin “me ba atë gjyqin e Velipojës”. Dërguesi shkruante se kishte qenë prezent kur të dëmtuarit i ishin dhënë vlerat monetare nga shtetasi Arjan Kalaja dhe njëkohësisht paralajmëronte të dëmtuarin se, në rast të mosdorëzimit të shumës, ai do ta denonconte tek emisioni investigativ “Fiks Fare”.
MESAZHI I DYTË
Në vijim, në orën 11:15 të po asaj dite, nga i njëjti numër celular ka ardhur një SMS tjetër e dytë, e cila në përmbajtje shprehej:
“Po te tham edhe i her se ta kam than gabim i ke marre 8000 dollar e jo tetdhetmi”. Në këto kushte, i dëmtuari është ndier i kërcënuar dhe është paraqitur në Prokurori dhe ka bërë kallëzimin përkatës.
Ndërkohë që është regjistruar kallëzimi penal dhe hetimet kanë vijuar, ai dhe familja e tij janë ndier të kërcënuar dhe si rezultat kanë marrë masat përkatëse që edhe fëmijët të shoqëroheshin vazhdimisht për në shkollë dhe kur ktheheshin prej saj.
MESAZHI I TRETË
Me datë 13 dhjetor 2013, në telefonin e gjyqtarit Thanza ka shkuar një SMS tjetër, por tashmë nga një numër i ndryshëm nga i pari, përsëri i panjohur.
Dërguesi i shkruante në mesazh se nuk kishte harruar në lidhje me shumën prej 8000 dollarësh dhe e kërcënonte të dëmtuarin me një tekst të shkruar në dialektin e zonës së Shkodrës: “Ti mor zatni mas kujto se e kam lan njat punen e atyne pareve 8000 dollar qe ti kena dhan ose ti marr ose desim te tan pranaj bjeri ma mir vete ti se te fiksfarja je tu dal”.
KOMUNIKIMI
Sipas Gjykatës, para se në telefonin e tij të mbërrinte mesazhi i tretë, gjyqtari Thanza ka telefonuar avokatin Kalaja, për shkak të njohjeve të tyre të afërta familjare dhe origjinës së përbashkët nga Shkodra.
I bindur se nuk kishte lidhje me ngjarjen që pretendohej nga dërguesi i SMS-ve dhe se prej tij po kërkohej padrejtësisht përfitimi i një shume, gjyqtari i ka kërkuar sqarime të pandehurit, duke qenë se në to përmendej emri i tij.
Po ashtu, Thanza i ka pohuar se do ta ndiqte çështjen në rrugë ligjore. Sipas Gjykatës, i pandehuri Arjan Kalaja është shprehur i irrituar, duke pohuar se nuk kishte lidhje me ndonjë mesazh të tillë dhe njëkohësisht nuk ka kërkuar të njihej me numrin konkret nga ishin dërguar mesazhet kërcënuese./Panorama/a.m.