Qindra banorë të Kukësit, të rinj të organizatave rinore, por edhe ato të forumeve partiake në opozitë, por edhe në qeveri, kanë manifestuar të premten në mesditë kundër taksës prej 5 eurosh të paralajmëruar për drejtuesit e automjeteve që do të qarkullojnë në Rrugën e Kombit.
Manifestimi i protestës ka nisur nga sheshi qendror i qytetit të Kukësit për të vijuar në këmbë drejt urës së Drinit të Zi dhe më pas në autostradë. Ndërkohë që si pasojë e këtij manifestimi janë shkaktuar vonesa në trafik, ndërsa policia kishte marrë të gjithë masat që protesta të mos dalë jashtë kontrollit.
Folësit në këtë protestë kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare që të heqë dorë nga koncesioni, duke e cilësuar atë si një nismë të çmendur të qeverisë. Ata kanë kërcënuar për bllokim të urës së Drinit, tunelit të Kalimashit deri në mosbindje civile.
“Ne po protestojmë, se nuk do të lejojmë që qeveria të na fusë duart në xhepa. Ne nuk jemi popull që nënshtrohemi.
Protestat do të vijojnë me bllokimin e urës së Drinit të Zi. Sot ishte një protestë paralajmëruese dhe nëse nuk do fitojmë kauzën tonë do ta vazhdojmë edhe me mosbindje civile dhe me bllokimin e tunelit të Kalimashit”, tha njëri prej organizatoreve të protestës.
Bërja publike e tarifës së pagesës prej 5 eurosh në autostradën Milot-Kukës-Morin, e gjatë 60 kilometra, më 26 korrik, është pasuar me një debat dhe reagime në Shqipëri, ku më aktive ka qenë një shoqatë biznesi me qendër në Kukës, por edhe banorët e këtij rajoni që preken më shumë nga vendosja e taksës.
Ndërkohë që Ministria e Transporteve në Shqipëri ka përzgjedhur më 22 korrik si fitues të koncesionit për mirëmbajtjen dhe rehabilitim e rrugës Milot-Morin, një bashkim kompanish kryesuar nga shoqëria turke “Vendeka Bilgi”.
Por pagesa në aksin Milot-Morin dhe më pas në atë Vermicë-Prishtinë do të sjellë probleme edhe në turizmin e fundjavës, ku tashmë nga Kosova ka një trend të ri. Shumë qytetarë nga Kosova kanë blerë banesa në bregdetin e Shqipërisë dhe i frekuentojnë ato gjatë gjithë vitit, në fundjava.
Por pagesa këndej dhe andej kufirit do të frenojë në maksimum vizitat në fundjavë në Shqipëri, pasi qytetari nga Kosova do të fillojë udhëtimin në start besoj me minus 20 euro, pasi të fillojë aplikimi i pagesës edhe në pjesën e Kosovës, përktheu Koha. (b.an)