Nga Artan Fuga
Që shteti t’i shërbejë qytetarit dhe administrata të kryejë funksionet e veta ka nevojë për një reformë të thellë administrative. Te ne politika e dëmton administratën dhe mund të thuhet që politika dhe politizimi e dëmtojnë shtetin.
Kemi njëçerek shekull që endemi për të ndërtuar një shtet që të mbrojë qytetarin karshi të fortëve që marrin nëpërkëmbë ligjet, rregullat, barazinë e shtetasve, që nëpunësin e dhunojnë, e tallin dhe e përdorin si leckë. Dhe nëpunësi nga ana e vet ja nxjerr dufin qytetarit që i troket te dera apo e sheh nga dritarja e zyrës. E vjedh, e përçmon, e përbuz, e plaçkit, e hedh tutje si leckë, e quan si një bizhdil që i ka ngecur nëpër këmbë. E di ai se pas katër vitesh nuk do të jetë më ndofta në detyrë, rrotacioni vjen shpejt, prandaj çka për të bërë duhet ta bëjë shpejt, duhet të fusi në xhep të ardhura sa për tetë vjet, sepse ka rrezik që të jetë katër vjet në punë, katër vjet pa punë.
Servilizimi ndaj shefave, kur nuk ka asnjë të drejtë që ta mbrojë nga arbitrariteti e bën nëpunësin të jetë qingj me eprorët dhe ujk me qytetarin dhe vartësit.
Për të dalë nga kjo gjendje ka rekomanndime të thjeshta, të zbatueshme brenda tre muajsh, mjafton të ketë vullnet politik. Ata që thonë se janë të pazbatueshme, sigurisht që llomotosin kështu sepse u preken interesat e ndyra.
Ja rekomandimet :
1. Asnjë familje nuk mund të ketë dy të punësuar nga gjiri i vet si nëpunës në administratën publike kombëtare ose lokale. Kjo shtrihet në rrethin familjar midis burrit dhe gruas, fëmijëve dhe prindërve, fëmijëve të një çifti dhe kushërinjve të parë. Këtë e quajmë rreth familjar të perimetrit të parë. Mjaft me nepotizma të fëlliqur ku punët e shtetit ndahen mes klaneve të ndryshme nga qendra deri në njësitë bazë.
2. Asnjë nëpunës nuk mund të vazhdojë të jetë antar partie sakohë nis punën në administratë, nuk mund të marrë pjesë në mitingje partie, nuk mund të kuotizojë për partinë dhe mbi të gjitha nuk mund të jetë antar komisionesh zgjedhore ose vëzhgues në emër ose për llogari të një partie politike. Nëpunësi nuk mund të shërbejë si militant politik.
3. Askush që ka një dënim administrativ që e ka nxjerrë njëherë nga rradhët e administratës publike ose është dënuar nga një gjykatë qoftë edhe për fajin më të vogël nuk mund të rimerret ose të vazhdojë të jetë anëtar i administratës publike.
4. Në krahasim me gjendjen e sotme administrata publike ka vend të shkurtohet 50 përqind. Gjithandej është stërmbushur me militantë që tundin derën dhe marrin lekë si rroga nga buxheti i shtetit për shërbimet e tyre partiake, për lidhjet e tyre familjare, ose si elektorat i mundshëm. Nëpunësve që do të shkurtohen u jepet rroga vjetore duke qendruar në shtëpi për një vit rresht dhe pasandaj ata duhet t’i bëjnë kokës derman duke gjetur punë ku të duan. Atyre që mbeten u duhet rritur rroga dyfish në proporcion me detyrat dhe përgjegjësitë, ku gjysma e pagës jepet si rrogë dhe gjysma të tjetër në funksion të cilësisë të kryerjes të detyrave sipas parametrave të matshëm.
5. Asnjë ministër nuk mund të jetë deputet, ose antar i kryesisë të një partie sipas një propozimi që kam bërë prej mëse dhjetë vjetësh te libri im “Shoqëria Periferike”. Poashtu as edhe një zëvendësministër. Ata mund të vazhdojnë t’i përkasin partisë politike nga kanë ardhur, por pa kryer asnjë funksion drejtues në të.
6. Nëpunësi më i lartë i një administrate qendrore ose lokale, drejtorie të përgjithshme, etj., është sekretari i përgjithshëm. Ai nuk mund të ketë qenë kurrë antar i një partie politike dhe nuk mund të jetë antar partie sakohë kryen detyrën e lartë administrative. Eshtë ai që firmos emërimet e nëpunësve, firmos tenderat, nëse këto do të vazhdojnë të ekzistojnë, pra drejton administratën dhe jo ministri.
7. Asnjë person nuk mund të emërohet rishtazi nëpunës i administratës në kohën kur në qeverrisje është partie ku ai ka bërë pjesë ose bën pjesë.
8. Në bashkitë e Shqipërisë, kryetari i bashkisë të jetë jofunksionar, por të paguhet me honorare sipas orëve të punës që i takon të kryhej pasi ka marrë mandatin, pra si përgjegjës administrativ të jetë sekretari i përgjithshëm i bashkisë.
9. Asnjë botues, pronar mediash, pronar që merr tendera nga shteti ose bashkitë nuk mund të ketë vëlla, motër, krushk, prind, nuse, burrë, etj., pra nga rrethi familjar i perimetrit të parë, të punësuar as si roje porte në administratë, jo më nëpunës apo drejtoruc, si kompensim për shërbime të fëlliqura që bën ose mund t’i kërkojnë të bëjë.
10. Cdo vend pune në administratë publike, vakant ose i zënë duhet të shpallet i lirë njëherë në tetë vjet, sipas kritereve të publikuar qysh më parë, të përhershme, ku një nga kriteret të jetë cilësia e notës në arsimim që nga shkolla e mesme e lart. Pas tetë vitesh në një nëpunësi, cdo nëpunës duhet të largohet nga ai vend pune për të konkurruar për një vend tjetër në administratë, ku vlerësimi të bëhet edhe nga hierarkia, por edhe nga kabinete ekspertize të pavarur, nga komisione qytetare, etj.
11. Cdo dëmtim dhe abuzim me fonde në administratë, të shpallet vjedhje administrative dhe të dënohet si i tillë. Cdo konstatim i bërë nga KLSH të konsiderohet ligjërisht dhe automatikisht si denoncim në Prokurori për vjedhje dhe të ketë statusin e iniciuesit të çështjes penale.
12. Nëpunësit duhet të kenë sindikatat e tyre që me ligj u mbrojnë të drejtat. Cdo nëpunës që fiton cështjen në gjykatë rinis punën realisht dhe rroga e muajve të humbur paguhet nga funksionari që e ka liruar padrejtësisht nga detyra.
13. Asnjë nëpunës nuk mund të caktohet në një detyrë më të lartë administrative pa pasur në cv e vet, përvojë nga detyra më të ulta nëpunësie të kryera më parë dhe të vërtetuara formalisht.
14. Per marrëdhëniet me qytetarët dhe plotësimin e detyrimeve duhet që për çdo post të caktohen edhe kompetencat, edhe detyrimet, por edhe afatet administrative brenda të cilave duhet të kryhen ato. Marrja e kompetencave hierarkike të çdo nëpunësi dhe përdorimi i tyre nga të tjerë, qofshin këta edhe eprorë, konsiderohet krim ose faj administrativ.
15. Asnjë nëpunës, sado i vogël ose i madh qoftë, nuk mund të jetë pronar i një biznesi sakohë kryen detyrën e tij, as mund të jetë aksioner i një sipërmarrjeje që nuk është kuotuar në bursë, brenda ose jashtë Shqipërisë, nuk mund të ketë llogari rrjedhëse jashtë vendit, nuk mund të ketë ai dhe bashkëshortja ose bashkëshorti i vet, ose prindërit apo fëmijët e tyre të ardhura dytësore prej një bisnesi të ligjshëm.
16. Krijohet rregjistri elektronik administrativ që bart të dhënat që duhen për këtë reformë dhe njësia për verifikimin e kërkesave të saj. Ftohen kundrejt shpërblimit për detyrën e kryer që qytetarët të ofrojnë të dhëna për raste të shkeljeve të këtyre kritereve dhe pagesat e ketyre shperblimeve te bëhen nga pagat e atyre që janë përgjegjës për mosmarrjen në konsideratë të kritereve të mësipërm. Shkelja e tyre quhet vepër penale.
Mendoni ju se nuk ka në Shqipëri 50 veta që duke qenë qytetarë të devotshëm nuk janë gati të përkushtohen qoftë edhe pa shpërblim për ta kryer këtë reformë brenda tre muajsh dhe pastaj të shkojnë në punë të vet, me ndërgjegjen e qetë, se i kanë shërbyer vendit?
Mendoni ju se të “bësh shtet” është të këpusësh lidhjet elektrike gjynafqarëve qe nuk paguajne dot faturen e dritave apo është të marrësh reforma administrative për ta zhdukur nëpunësin debil dhe militant me mendje të mbyllur, që është gati të kryejë çdo veprim që i kërkon shefi, që e mashtron shefin dhe dhunon qytetarët?
Mendoni ju se është ndonjë filozofi e madhe për t’i vendosur në zbatim këto rekomandime dashamirëse?
Mendoni ju se qytetarët nuk do t’i aprovonin ato edhe sikur thasë me narkodollarë t’u jepeshin për të votuar kundër tyre?
Prof Fuga hera pare qe pelqej shkrimin tuaj kur sygjeron heqjen e nepotizmit ne administrate kpletij kanceri qe bashke me korrupsionin shteteror jane plaget kryesore te demokratures 25vjecare. Sot ne administrate nuk ka meritrokaci por emerime ne baze fisi she klani dhe kur vine zgjedhjet keto .birbo ministra dhe deputet si huriapa i servilosen popullit fukara deri sa ti marre voten pastaj i harrojne