Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse institucionet shtetërore përgjegjëse kanë monitoruar trajtimin e të drejtave të punonjësve në kompaninë private të riciklimit të mbetjeve në fushën e Sharrës, ku 17 vjeçari, Ardit Gjokli, humbi jetën.
Nëpërmjet një deklarate për mediat Totozani, shpreh tronditjen për ngjarjen e rëndë të vrasjes dhe më pas braktisjes së 17 vjeçarit, Ardit Gjokli, në fushën e mbeturinave në Sharrë. Ai i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të riut që humbi jetën.
Avokati i Popullit, mbështet dhe inkurajon Prokurorinë e Tiranës, që të zhvillojë një hetim të hollësishëm dhe gjithëpërfshirës, për të gjetur dhe për të vënë përpara ligjit autorët dhe përgjegjësit e këtij akti tragjik.
Avokati i Popullit deklaron se ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar nëse institucionet shtetërore përgjegjëse kanë monitoruar trajtimin e të drejtave të punonjësve në kompaninë private të riciklimit të mbetjeve në fushën e Sharrës, ku 17 vjecari Ardit Gjokli, punonte prej disa kohësh. Pjesë e hetimit të ekspertëve të Avokatit të Popullit është kërkesa për informacion drejtuar institucioneve shtetërore të përfshira, që kanë në kompetencën e detyrave të tyre funksionale: verifikimin e zbatimit të kodit të punës për punonjësit, kushtet e kontratës, pagesën e sigurimeve, si dhe monitorimin e zbatimit të kushteve të sigurisë në punë nga ana e firmës private që ushtron aktivitetin në fushën e mbledhjes së mbeturinave në Sharrë./a.m.