UEFA është vënë në lëvizje për të zgjidhur çështjen e vizave të futbollistëve të Partizanit. Klubi i kuq nuk ka mundur deri në këto momente të marrë vizat ruse për Rusi tre futbollistë, Ibrahimin, Ramadanin dhe Mentor Mazrekajn që ndryshe nga sa është pretenduar është pjese e planeve të klubit për ndeshjen e parë të play-off-it të Europa League. Tre futbollistët zotërojnë pasaporta të Kosovës, e cila nuk njihet nga Rusia e për këtë arsye nuk kanë marrë viza. Partizani është ankuar në UEFA, e cila është vënë në lëvizje, duke i dhënë direktivat e saj Federatës Ruse të Futbollit. Problemi me vizat nuk qëndron te ambasada në Tiranë, e cila është treguar mjaft dashamirëse ndaj Partizanit dhe e gatshme për të kryer të gjitha veprimet proceduriale për skuadrën shqiptare, por te Ministria e Brendshme e Rusisë.
Me vënien në lëvizje të UEFA-s, Federata Ruse e Futbollit ka nisur kontaktet me ministrinë atje për të zgjidhur problemin.
Në lëvizje është vënë edhe klubi i Krasnodarit, duke u interesuar që futbollistët të pajisen me viza, edhe pse çështja mbetet ende e vështirë për t’u zgjidhur dhe duket se në fund do të jetë UEFA ajo që do të vendosë se çfarë do të ndodhë me këtë transfertë. Te Partizani janë të vendosur për t’u mos u nisur pa futbollistët në fjalë, pasi edhe në planin sportiv mungesa e Ibrahimit dhe Ramadanit do të ishte një dëm i madh për trajnerin Sormani që i duhet të përballet edhe me mungesa për shkak të skualifikimeve. Për ndeshjen e parë me Krasnodari trajneri italian nuk do të ketë në dispozicion as Kalarin i cili është pezulluar me dy ndeshje pas kartonit të kuq që mori kundër Salzburgut.
SS/d.i.