“Nuk dua të ndahem nga ty. O bashkë të gjallë, ose do të vdesim të dy”. Kështu i është drejtuar 33-vjeçari nga Durrësi, Antonio Zani, të dashurës 13 vite më të vogël, e cila nuk i kishte pranuar propozimin për fejesë.
Pasojat ishin të rënda, pasi 20-vjeçarja, me inicialet A.D., pas refuzimit u masakrua me thikë nga i dashuri i saj 33- vjeçar, i cili më pas tentoi të vetëvritej. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 06:00, në lagjen Nr.8, Durrës, në vendin e punës së vajzës.
Për pasojë 20-vjeçarja përfundoi në Spitalin Ushtarak të Tiranës në rrezik për jetën, ndërsa i dashuri i saj në spitalin e Durrësit, pasi u vetëplagos.
Sipas Policisë, ngjarja është zhvilluar në shtëpinë e një të moshuare në lagjen 8 të qytetit bregdetar, aty ku qëndronte e reja natën, për t’u kujdesur për të sëmurën.
DESHMIA
Për Policinë, Zani ka deklaruar se ka qenë në gjendje të rëndë psikologjike dhe nën efektin e alkoolit e lëndëve narkotike, prandaj ka vepruar në atë mënyrë.
“Gjithçka kam bërë, e kam bërë në gjendje të rënduar psikologjike. Ne kishim lënë të martoheshin. Papritur, ajo refuzoi fejesën, duke nxjerrë pretekst prindërit. Më tha që dua të ndahemi, pasi prindërit nuk më pranonin mua si dhëndër. Kohët e fundit nuk pranonte të më takonte për të më shpjeguar pse ndryshoi mendim dhe kërkonte ndarjen.
Shkova te puna për të biseduar si njerëz, por ajo ngriti lagjen në këmbë dhe më qëlloi me karrige. Unë isha në gjendje të dehur dhe reagova shumë ashpër, duke e qëlluar disa herë me thikë. Më pas u largova disa metra dhe qëllova edhe veten time”, ka deklaruar ndër të tjera për oficerët e policisë Antonio Zani.
Panorama/d.i.