Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë në Landfillin e Sharrës ku humbi jetën një 17-vjeçar.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes së 17 vjeçarit Astrit Gjoka, i cili u gjet i vdekur para disa ditësh në landfillin e Sharrës, në Tiranë ka besim se organet e ndjekjes penale dhe gjykata do zbardhin kushtet në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe përgjegjësit për vdekjen e tij.
KShH shton se, “Ka të dhëna që firma përkatëse nuk e ka regjistruar 17 vjeçarin në Regjistrin e Punësimit, gjë që bie ndesh me dispozitat ligjore. Kjo është një ngjarje që kërkon reflektim nga institucionet e ngarkuara me inspektimin e ambienteve të punës dhe të drejtat e punëmarrësve. Gjithashtu, KShH vëren se duhet të intensifikohen kontrollet në sektorin privat, në drejtim të respektimit të rregullave të sigurimit të domosdoshme për ruajtjen e shëndetit dhe jetës së punonjësve”.
“Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë, KShH ka marrë këto ditë ankesa të disa shtetasve dhe aktivistëve të Minoritetit Rom, lidhur me masat e marra nga Bashkia e Tiranës, për të konfiskuar mjetet e tyre të punës që shërbejnë për mbledhjen e mbetjeve urbane në koshat ku depozitohen këto mbetje”.
“Ankuesit pretendojnë se Bashkia e Tiranës, nëpërmjet punonjësve në terren informalisht ka ofruar vende të lira pune pranë Landfillit të Sharrës, por ky variant konsiderohet i papërshtatshëm për anëtarët e komunitetit për shkak të: kushteve të këqija të punës, distanca e largët me vendbanimin dhe kostos së papërballueshme për transportin, si dhe paga disa herë më të ulëta se në pika të tjera grumbullimi. Ngjarja e rëndë me pasojë vdekjen e 17 vjeçarit në këtë landfill, ka ndikuar më shumë në vendimin e këtyre shtetasve për të refuzuar alternativën e propozuar, pasi tashmë ndihen më të pasigurtë për jetën e tyre. Duke patur parasysh ankesat dhe shqetësimet e tyre, KShH rekomandon që alternativat e punësimit që u ofrohen këtyre shtetasve duhet të jenë të sigurta për jetën dhe shëndetin ”, përfundon KShH.