Policia shqiptare bllokoi të mërkurën 26 refugjatë afganë të hyrë nga kufiri grek, në afërsi të pikës së Kakavijës, në rrethin e Gjirokastrës.
Mes refugjatëve 18 prej ishin fëmijë të mitur. Duket se destinacioni i tyre ishte Mali i Zi. Policia shqiptare nuk ka dhënë hollësi, por refugjatët pritet t`u dorëzohen autoriteteve greke.
Policitë e të dy vendeve po hetojnë mbi një organizim të mundshëm trafiku të grupeve të mëdha të refugjatëve, të cilët dyshohen se fshihen në zonat pyjore buzë kufirit me Shqipërinë dhe që kanë destinacion Malin e Zi dhe më pas vendet perëndimore.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë greke të Politikave të Emigracionit, aktualisht në Greqi janë 57 mijë refugjatë. Nga këta, rreth 10.000 janë të strehuar në zonat e mikpritjes ne ishujt e Egjeut Lindor. Po sipas burimeve zyrtare greke 41% e refugjatëve janë meshkuj, 21% femra dhe 38% fëmijë, një pjesë të mitur, të pashoqëruar.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Solidaritet Social (NCSS), në Greqi aktualisht jane rreth 1495 të mitur te regjistruar të cilët janë duke pritur për zbrazjen e strukturave pritëse për t`u akomoduar.
Pjesa më e madhe e refugjatëve dhe emigrantëve, sipas shtypit grek, janë vendosur në Greqinë Veriore dhe në zona afër kufrit me Shqipërinë.
Vlerësohet se 21836 refugjatë gjenden në strukturat pritëse në këtë rajon ndërkohë që Kapaciteti pritës është për rreth 29.000 persona.
Shqipëria ka njohur javët e fundit grupe të shtuara të refugjatëve sirianë dhe afganë nga Greqia.
Autoritetet shqiptare po ndihmohen nga UNCHR për trajtimin e përkohshëm të refugjatëve. Kjo organizatë sapo ka hapur një zyrë të saj në Gjirokastër dhe po koordinon operacionet e ndihmës në rajon./VOA/a.m.