Partia Demokratike vijoi sot me akuzat ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit për lidhje me bandat e drogës. Pa deklaratës nga selia e PD, ka ardhur edhe reagimi nga uniformat blu nëpërmjet një deklarate shpërndarë për mediat. Pavarësisht akuzave të PD, Policia e Shtetit deklaron se do të vijojë luftën kundër krimit pa u ndalur.
Deklarata:
Për të disatën herë, nga foltorja e subjektit politik Partia Demokratike opinioni ndjek të njëjtat sulme kundër Policisë dhe drejtuesve të saj.
Policia e Shtetit në respekt të këtij opinioni ka vetëm një përgjigje të shkurtër dhe të qartë: nuk ka asnjë tërheqje në këtë luftë kundër krimit dhe paligjshmërisë.
Edhe për PD-në përgjigja mbetet e njëjtë: për çdo akuzë dhe fakt të pretenduar, t’i drejtohet Prokurorisë.
Kjo është e vetmja rrugë për të ndërtuar shtetin e së drejtës, ku politika t’i përmbahet ligjit e institucionet të bëjnë detyrën pa presion politik.