Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike, Jemin Gjana komenton dhe analizon idenë e hedhur nga kryetari Lulzim Basha për domosdoshmërinë e qeverisë teknike dhe mundësitë që të arrihet qeverisja e përkohshme.
Për “Sot” ish-ministri i Bujqësisë, sot drejtues i Departamentit për Kontributet Historike në PD, shprehet se qeveria teknike, me ekspertë jo politikanë, është e domosdoshme, pasi siç thekson ai pushteti qendror dhe lokal janë kriminalizuar në një masë të madhe.
Ai thotë se kryeministri Edi Rama nuk jep garanci për proces të rregullt. Ish-ministri shprehet se qeveria e drejtuar nga Rama nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të drejta dhe sërish do të përdorë paranë e pisët për të vjedhur votat e shqiptarëve.
Në këtë kontekst, ai e sheh shumë të mundshëm ndarjen e koalicionit të majtë për të arritur standardin e kërkuar për zgjedhjet e ardhshme. Gjana, deputet i Partisë Demokratike për 6 mandate, thekson se edhe në radhët e së majtës mbështesin idenë e qeverisë teknike dhe këtu ai përmend LSI.
Ish-ministri në kabinetin e “Berishës” thekson se vetë kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka mbështetur opsionin e qeverisë me ekspertë dhe shprehet se nuk është e vërtet që kryeparlamentari është tërhequr nga ky opsion.
“Kjo është kërkesë e Partisë Demokratike, është një kërkesë ose një opsion i lëshuar edhe nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kam lexuar në media se është tërhequr nga ky opsion më vonë.
Ai nuk është tërhequr nga ky opsion por nga opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. D.m.th është një opsion që ata nuk e kundërshtojnë. Besoj se edhe aktorë të tjerë brenda Kuvendit e mbështesin këtë opsion.
Natyrisht nën presionin pozitiv politik që mund të ushtojnë të gjitha palët dhe vullneti i qytetarëve për të shkuar në këto zgjidhje e bëjnë të mundur qeverinë me ekspertë”, thotë Gjana.
Gjana thekson se nëse do të ketë presion politik dhe popullor, qeveria teknike është mëse e mundshme./a.m.