Duke paraqitur programin e vet për Kosovën në Kuvendin e Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se “mbrojtja e pasurisë së serbëve në Kosovë, pasuria e subjekteve tona ekonomike dhe e Kishës ortodokse serbe, do të jetë edhe më tej në krye të prioriteteve të Qeverisë së Serbisë, transmeton Koha.net.
“Kemi luftuar gjithë kohën dhe do të luftojmë edhe për Trepçën, Gazivodën, për infrastrukturën në Brezovicë, edhe pse e dini si jemi ballafaquar me privatizimet e paligjshme dhe me tjetërsim të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, citon FoNet të ketë thënë Vuçiç.
Sipas fjalëve të Vuçiçit, në Kosovë do të vazhdojë bashkëpunimi edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, UNMIK, EULEX e KFOR për të mbrojtur të drjeta dhe për të krijuar ambient të sigurt për popullin serb.
Ai ka thënë se në libra në Kosovë e në Shqipëri shkruan se Deçanin e kanë ndërtuar shqiptarët, se manastiret serbe s’i kanë ndërtuar as Milutini e as ndokush tjetër nga dinastia e Nemanjiqëve por se ato u takojnë dinastive shqiptare. “Ne nuk do të pajtohemi me këto”, ka theksuar Vuçiç.
Çështja e Kosovës, ka thënë ai, është shumë më shumë se sa çështje e identitetit territorial, ajo është pikë në të cilën në periudhën e ardhshme do të definohen në planin afatgjatë marrëdhëniet serbo-shqiptare nga të cilat varet stabiliteti dhe perspektiva ekonomike e gjithë rajonit.
Ajo që nuk duam është që marrëdhëniet e parregulluara serbo shqiptare të jenë kërcënim latent i stabilitetit dhe përparimit të Serbisë dhe për këtë do të punojmë me përkushtim për zgjidhjen paqësore të mospajtimeve, ka theksuar Vuçiç. (b.an)