Policia greke po heton grabitjen e një banke pasditen e së martës në Athinë, duke pasur dyshime të forta se bëhet fjalë për persona që kanë lidhje me grupet terroriste greke.
Katër persona të armatosur kanë hyrë në një filial të Bankës së Pireut, në rrugën Kifisias të Athinës, pranë zyrave qendrore të policisë në kryeqytet.
Pasi kanë mbajtur peng për disa orë 5 klientë dhe 8 nënpunës të bankës, grabitësit i kanë detyruar këta të fundit të hapin kasafortën.
Madje, ata kanë hapur edhe depozitat personale me bizhuteri e sende të çmuara të klientëve dhe më pas janë larguar në këmbë, duke marrë me vete një shumë të panjohur parash.
Ngjarja ka ndodhur pak para orës 14, por policia është njoftuar gati tre orë më vonë dhe në hetime po merr pjesë edhe Departamenti i Antiterrorit.
Fakti që grabitësit kishin pistoleta, armë të rënda zjarri, si dhe maska humoristike me fytyrat e politikanëve grekë bën që policia të dyshojë se ka të bëjë jo me grabitës të zakonshem, por me persona të lidhur me anarkistët grekë.
Madje thuhet se grabitësit ndiqnin çdo lëvizje të policisë nëpërmejt një aparati të vjedhur përgjimi të frekuencës së saj. Heturesit po shqyrtojnë tashmë me hollësi materialet nga kamerat e sigurisë brenda dhe jashtë filialit të bankës për të gjetur më shumë hollësi të kësaj grabitjeje të bujshme./tch/a.k