Sistemi online i aplikimeve në universitete penalizon që në hyrje kandidatët, të cilët në vitet e gjimnazit nuk kanë arritur rezultate të larta. Por kjo nuk do të thotë se ata përjashtohen nga e drejta e shkollimit.
Ndonëse kjo nuk është parashikuar në vendimin e qeverisë nr.407, datë 01.06.2016, “Për përcaktimin e notës mesatare për pranimin e kandidatëve në IAL”, udhëzimi i Ministrisë së Arsimit sqaron se nota 6 nuk vlen për degët profesionale.
“Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve 2 vjeçare me karakter profesional, nuk e kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në VKM”.
Plot 20 degë, në shtet e privat, janë mundësitë e përzgjedhjes për maturantët me mesatare nën notën 6, të vendosur nga qeveria si kusht për të hyrë në universitete. Ambicia e qeverisë për t’i dhënë hov shkollave të larta profesionale të larta u jep një mundësi studimi e më vonë një zanat nxënësve që nuk kanë shkëlqyer në gjimnaz. Vetëm universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ofron dhjetë programe studimi.
Bëhet fjalë për profesione kryesisht ndihmëse, apo zanate të tilla si: teknikë elektrike, hidroteknikë ujësjellës, asistent stomatologji, menaxhim ndërtimi e transporti, asistencë ligjore e administrative, teknologji automobilash, informatikë dhe teknikë rrjetesh.
Degë të tjera në privat ofrojnë mundësi studimi në profile të shumëkërkuara në tregun e punës dhe kanë të bëjnë veçanërisht me: informatikë, elektronikë, ueb dizajn, teknologji ajrimi, ndërtim gjeodezi e mekatronikë. Tashmë, i vetmi vendim që nxënësit jo të mirë duhet të marrin është pagesa e tarifës prej 2 mijë lekësh për vijimin e studimeve në një nga këto degë.
Nëse ka ende maturantë të pavendosur nëse duhet ta bëjnë një gjë të tillë, ju listojmë në tabelën përbri dhjetë mundësitë që ofron Universiteti i Durrësit. Sipas udhëzimit të MASit, brenda 30 gushtit, Agjencia Kombëtare e Provimeve u përcjell universiteteve listën me emrat e kandidatëve që garojnë për ato programe studimi, së bashku me notat e të gjitha viteve të shkollimit, të maturës shtetërore, si edhe tregues të tjerë vlerësimi që kërkon shkolla. Kandidatët mund ta marrin vesh nëse janë në listën e fituesve vetëm pas datës 5 shtator, ditë kur universitetet duhet të shpallin emrat e përzgjedhur./panorama/a.k