Partia Demokratike ka akuzuar përsëri kryeministrin Rama dhe krerët e policisë se po i japin mbrojtje Klement Balilit, ish-drejtorit të DPSHTRR në Sarandë I cili është në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Në një deklaratë shpërndarë për mediat, PD deklaron se Klement Balili është parë duke pushuar në Sarandë. Sipas selisë blu, policia po i jep mbrojtje teksa Balili ëhstë parë duke shijuar në skaf ditët e nxehta.
PD ngre edhe një pyetje për zv.drejtorin e policisë Rebani Jaupaj, se pse ndodhej i pranishëm në resortin ku ëhstë parë edhe Balili.
PD-ja i referohet “dëshmive nga vendngjarja”, që “konfirmojnë se sot në mesditë, në kompleksin “Sejko” në Sarandë është shfaqur Klement Balili”.
“Ky fakt dëshmon se Edi Rama jo vetëm i siguroi arratinë dhe shpëtimin prej aksionit ndërkombëtar të DEA-s amerikane, policisë greke dhe belge, por po i ofron edhe më shumë garanci e paprekshmëri që ai të bëjë dhe pushime pa i hyrë ferrë në këmbë. Edi Rama që po pushon disa kilometra më tej duhet t’ju shpjegojë shqiptarëve: Cfarë po bënte, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupaj në resortin turistik ku po pushonte i këkuari ndërkombëtar për trafik droge, Eskobari i Ballkanit, Klement Balilaj?Opinionit publik, nuk i nevojitej edhe një fakt më shumë për të kuptuar shpartallimin që Edi Rama i ka bërë rendit, sigurisë dhe Policisë së Shtetit, nëpërkëmbjen e burrave e grave në uniformë, me drejtues që ruajnë parcelat me drogë, që vjelin 30 përqindëshin, e që bëjnë pushime me trafikantët. Por cdo ditë që kalon thellohet edhe më shumë gjirizi i krimit dhe drogës ku është futur kryeministri në detyrë, gati të sfidojë edhe DEA-n amerikane, duke mbrojtur një të kërkuar prej saj si Klement Balili. Shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë të sundohen nga baronët e drogës”,- thuhet në deklaratën e PD./a.m.