Katër skuadra të sigurta për kampionatet e mëdha, skuadra të ftuara për merita “historike”, renditje të reja dhe short që mbron “elitën”. Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, kjo do të jetë Champions League duke filluar që nga viti 2018, një rrugë e ndërmjetme mes asaj që kërkojnë klubet e mëdha europiane dhe rezistencës së UEFA-s, e cila nuk dëshiron të prishë një turne që i garanton qindra miliona euro në vit.
Bajerni, Juventusi, Barcelona, Reali, PSG dhe skuadrat angleze, do të dëshironin të ndërtonin një Superligë. Një turne i mbyllur, me një pjesëmarrje të kufizuar që ndryshon minimalisht nga viti në vit. Një turne i ngjashëm me atë të NBA, me 24 skuadra, i ndjekur nga play-off, që luhet në fundjavë, praktikisht duke shkatërruar kampionatet klasikë të futbollit në kontinent.
Ekonomikisht dhe nga ana juridike do të ishte maksimumi i mundshëm, por do të shënonte ndarjen përfundimtare të këtyre klubeve nga UEFA (duke varfëruar ndjeshëm këtë të fundit). Pengesa reale në këtë moment nuk është kjo organizatë, por kampionati anglez, i cili gjeneron më shumë të ardhura nga e drejta televizive se çdo treg tjetër.
Ndaj është arritur në një akord të përkohshëm për riformulimin e Champions League, që mbetet gjithsesi me 32 ekipe në fazën në grupe. Katër shtetet e mëdha, që do të thotë Anglia, Spanja, Gjermania dhe Italia, do të kenë 4 vende të sigurta në çdo edicion, pa kaluar në play-off.
Tani po diskutohet ideja që këtë të drejtë të mos e gëzojnë detyrimisht 4 skuadrat e para në renditje, por 3 të parat, ndërsa vendi i katërt t’i shkojë një skuadre e cila ka histori në turne (si Milan, Inter, Çelsi, Liverpul, etj.) nëpërmjet një renditjeje të ndërtuar pikërisht për të nxjerrë në pah “kontributin ndër vite”.
Franca, Portugalia dhe Rusia do të kenë dy vende të sigurta në fazën në grupe, nga një për 4-5 vendet që i ndjekin në renditje, ndërsa vetëm 5-6 skuadra do të fitojnë pjesëmarrjen në fazën në grupe nëpërmjet play-off.
Gjithçka do të diskutohet në shtator, para zgjedhejve për presidentin e ri të UEFA-s, por sipas sinjaleve, Europa duhet të bëhet gati për SuperChampions, para se ajo të transformohet në SuperLeague në një periudhë të dytë.